Roma zgjedh kryetaren e parë femën në historinë 3000 vjeçare, thotë se ka me u marrë me Papën dhe Mafia’n

Virginia Raggi asht zyrtarisht kryetarja e parë e Romës në historinë 3000 vjeçare. Raggi, e cila përfaqëson Lëvizjen 5 yjet ka me qenë jo vetëm kryetarja e 18 e kryeqytetit Italian, por edhe ma e reja në histori.

Edhe psee nisi me hapa të ngadaltë, Raggi arriti me triumfue në zgjedhjet e 19 Qershorit.

Raggi, e cila në Korrik ka me i mbushë 38 vjet asht avokate dhe nana e nji djali 7 vjeçar. E rritun në lagjen San Giovanni në Romë, Raggi diplomohet për Juridik në Universitetin Roma Tre dhe specializohet në fushën e të drejtës së autorit e të drejtës intelektuale.

Mbas fitores, Raggi u shpreh e emocionueme se ka me qenë kryetarja e tanë romanëve.

“Ky asht nji moment historik. Ajo që due me thanë asht se ma në fund Roma ka me pasë nji kryetare grue. Falenderoj tanë qytetarët”, shtoi avokatja 37 vjeçare.

Kauza e saj në rrximin e kryetarit paraprak nga Partia Demokratike, Ignazio Marino, u ndihmue me shpenzimet dhe skandalin e madh të përfshimjes në krim të organizuem të administratës së kryeqyteti italian.

Virginia Raggi

Në ate që njihet si “Mafia Capitale”, dheta biznismenë lokalë, zyrtarë dhe politikanë janë momentalisht në gjyq, për përfshimjen e tyne në këtë rrjet kriminal, që kanë damtue buxhetin e kryeqytetit me shifra që kapin qindra e miliona euro.

Raggi ka premtue se ka me luftue korrupsionin dhe në nji intervistë për The Guardian ajo thotë se ka me u marrë edhe me Kishën Katolike.

Gazeta raporton se ajo ka me ndjekë çashtjen e 310 milionë paund të taksava të papagueme nga Vatikani, transmeton Rrokum.TV

Ajo thotë se administrata paraprake ka pasë frigë me u marrë me Vatikanin dhe këtë çashtje.