Rrecaj: Hetimi ka me pushue, prokuroria s’ka prova kundër Limajt!

Tahir Rrecaj, avokati mbrojtës i deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, i cili të Premten u akuzue nga Prokuroria Speciale për krime lufte ndaj popullatës civile, tha se hetimi ka me pushue, mbasi Prokuroria s’ka prova kundër Limajt.

Rrecaj në nji përgjigje për KlanKosova.tv, ka thanë se aktakuza e re e Prokurorisë Speciale i ka gjetë të habitun dhe se në aktakuzën e re, nuk ka asgja të vërtetë.

“Prokuroria ka me pushue hetimin në mungesë provash. Deri tash Limaj ka dhanë dy deklarata në praninë time dhe asht sqarue nga ana e tij. Limaj në kohën kur ka ndodh vrasjet nuk ka pasë nji pergjegjësi komanduese.

Prokuroria thjesht nuk ka prova dhe asokohe, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ende në formim.

Edhe ndjehemi të habitun me këtë aktakuzë”, ka thanë Rrecaj, për Klankosova.tv.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur edhe një aktakuzë për krime lufte kundër deputetit të Kosovës nga NISMA, Fatmir Limajt.

Në njoftimin e prokurorisë, thuhet se ai akuzohet për veprën penale, “Krim i Luftës kundër popullatës civile”, dhe rasti gjegjësisht ka të bëjë me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës.

Në aktakuzë thuhet se me datë 2 nëntor të vitit 1998, në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë Hoxha dhe Binishi janë marrë dhe më pas janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.