Rrëfimi i nji përdoruesi të drogës, lloji – heroinë

Droga len shenja të pashlyeshme në jetë thotë përdoruesi 40 vjeçar i heroinës A.B., që për Televizionin Rrokum pranoi me tregue historinë e tij të dhimbshme.

Ai thotë se paret për drogën i ka sigurue tu’ ba krime dhe vepra penale. Por atë e habit fakti i numrit të shumtë të përdoruesve të drogës në vendin tonë, që e tregon me nji rast konkret, veç për Televizionin Rrokum.

Simbas tij, të ritë janë gjahu ma i mirë i tregtuesve të substancave narkotike, e kjo e ka rritë frikshëm numrin e përdoruesve të drogave të forta në qytetin e Prishtinës.

Nga të dhanat zyrtare të sigurueme nga Televizioni Rrokum, del se gjendja ekzistuese asht alarmante, mbasi numrit të përdoruesve të drogës po i shtohen çdo ditë e ma shumë moshat minore, tue nis nga 12 vjet e tutje, ndërsa në vend mungojnë institucione adekuate për me i trajtue të prekunit nga kjo dukuni.
Simbas psikologes së Qendrës së Rehabilitimit Labirint Getiana Kuçi – Tishukaj, ekspozimi i lehtë i drogave në Kosovë, mania për me qenë në modë dhe trauma të ndryshme familjare, janë disa nga arsyet që i shtyjnë të ritë me nisë marrjen e drogës.

E nga ana tjetër zadhanësi për informim i Policisë së Kosovës për Prishtinën, Daut Hoxha, tha për Televizionin Rrokum se klubet e natës janë vendet ku përdoret mbas shumti droga. Por Hoxha thotë se simbas tij asht rritë edhe kontrolli i rreptë i Policisë së Kosovës për parandalimin e kësaj dukunie.