Rrëzimi i helikopterit, Report Tv mëson dëshminë e ushtarakut

Në bordin e helikopterit EC45, që ra dje në Liqenin e Shkodrës, nuk pati asnjë sinjal avarie apo alarmi para përplasjes tragjike. Detaji i randësishëm u raportua nga ushtaraku Gerald Baramuça anëtari i vetëm i ekuipazhit prej 3 ushtarakësh, që mbijetoi nga tragjedia por i plagosun. Dy pilotët, kapiten Floran Deliaj dhe toger Donald Hoxha vdiqen gjatë përplasjes.

“Koha ishte shumë e mirë – tregoi ushtaraku, sipas burimeve të Report tv – ndërsa në kabinë nuk kishte asnjë sinjal alarmi apo avarie deri në momentin e përplasjes”.

Ushtaraku i plagosur Gerald Baramuça përjashtoi faktin se helikopteri është qëlluar nga jashtë apo është sulmuar, ai shpëtoi sepse ndodhej në pjesën e pasme të helikopterit.

Nëse dëshmia e ushtarakut do të konfirmohet edhe nga ekspertizat teknike mbi mbetjet e helikopterit, mund të hipotizohet si shkak i aksidentit, ose një avari në matësin e lartësisë, ose një gabim njerëzor, gjithnjë i mundshëm gjatë stërvitjeve ushtarake që shërbejnë për të testuar edhe kushte ekstreme fluturimi.