Rrokum TV nxit Krasniqin, Haradinajn e Veselin për me urue Limajn

Mbramë Televizioni Rrokum raportoi në lajmet qendore të orës 19:00 se asnji nga liderët politik nuk e uroi liderin e NISMA’s për Kosovën Fatmir Limaj, për shpalljen i pafajshëm nga akuzat për rastin Kleçka. Mirëpo edhe deri në orët e vona të paradites së sotme, Limajn nuk e uroi asnji lider.

Të kontaktue nga Televizioni Rrokum, shumë zyrtarë të naltë të Nismës, konfirmuen se Fatmir Limajn nuk e ka urue asnji lider politik e institucional, edhe pse ata shpeshherë deklarohen për luftë të pastër e të drejtë nga ana e UÇK.

Mirëpo ma e randë bahej heshtja e bashkëluftarëve të Limajt në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e që tash i përkasin taborrit të opozitës, si Jakup Krasniqi nga Nisma, Ramush Haradinaj nga AAK, por edhe Rexhep Selimi nga Vetëvendosja, pa folë për Presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, apo Kryeministrin Isa Mustafa.

E kështu, vetëm rreth orës 10:00 të ditës së sotme, ish-zadhanësi i UÇK, Jakup Krasniqi ishte i pari që e uroi publikisht ish-komandant “Çelikun”, tue kritikue të tjerët që nuk e hodhën këtë hap.

Përmes nji shkrimi në Facebook, Krasniqi e quen lirimin e Limajt nga akuzat, nji lajm të mirë për luftarët e bashkombasit, por jo edhe pushtetarët, të cilët zgjodhën me heshtë.

Mbas Krasniqit, edhe Aleanca e Ramush Haradinajt e uroi në orët e vona të drekës pafajsinë e Fatmir Limajt. Madje, AAK u tregue ma institucionale, tu’ dalë me nji komunikatë zyrtare për këtë qëllim. Alenaca vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit, që Fatmir Limaj dhe të tjerët, me u shpallë të pafajshëm nga akuzat për krime lufte në rastin Kleçka, asht nji dëshmi e fortë se lufta e UÇK, ka qenë e pastër.

E derisa Presidenti nuk e pa të arsyeshme me e urue ish-bashkëluftarin e tij, në urimin e Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, emni i Fatmir Limajt shmanget me në këtë mënyrë.
Përshëndes vendimin përfundimtar të Gjykatës së Apelit për rastin e ashtuquajtun “Kleçka”. Ky vendim dëshmon edhe nji herë se lufta jonë ishte e drejtë dhe e pastër, – ka shkrue Veseli në Facebook, në mbasditen e sotme.

Me përjashtim të AAK’s, asnji parti politike nuk e ka urue ende Fatmir Limaj dhe të tjerët për shpalljen të pafajshëm nga Gjykata e Apelit në Prishtinë, për rastin Kleçka, çka ishte hera e pestë që akuzat për krime lufte rrxohen nga disa gjykata ndërkombëtare e vendore.