Salihaj: Nuk e votoj Thaçin për president. Qe arsyet!

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj ka ba të ditun se nuk do të marrë pjesë në seancën e zgjedhjes së Presidentit, tue dhanë kështu disa arsye pse nuk do ta votojë, gjegjësisht pse nuk do të marrë pjesë në seancën ku pritet të votohet për Thaçin president.

Ai ndër të tjera, përmes nji postimi në Facebook ka thanë se Hashim Thaçi nuk asht nji figurë unifikuese.

Qe postimin i tij në Facebook:

PSE NUK DO TË MARR PJESË NË SEANCËN E ZGJEDHJES SË THAÇIT PRESIDENT

“Edhe pse shumë herë i kam thënë arsyet e mospjesëmarrjes sime në seancën e zgjedhjes së Thaçit president, megjithatë e shoh të nevojshme t’i përmend edhe një herë këto arsye,të cilat do t’i numërojë këtu më poshtë,një ditë para mbajtjes së kësaj seance:

1. Hashim Thaçi nuk është një figurë unifikuese,e cila do të paraqesë unitetin e popullit të Kosovës,ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Përkundrazi, ai është një figurë deri në ekstrem i pozicionuar partiakisht,vendimet e tij do të jenë të ndikuara shumë nga partia e tij dhe do të merren për interesa të saj dhe jo për interesa të popullit të Kosovës. Duke marrë parasysh këtë, ai nuk do të mund të ofrojë në një tryezë partitë politike dhe asnjëherë nuk do të mund të arrijë kompromiset dhe konsensuset e nevojshme për interesat vitale të shtetit tonë.

2. Gjatë kohës 7-vjeçare, sa ishte kryeministër i Kosovës, shteti ynë është zhytur në krim dhe korrupsion,ndërsa qeveria është bërë sinonim i shkeljes së ligjit dhe kushtetutës, sinonim i hajnive, krimeve dhe korrupsionit të pafund, në vend që të bëhej sinonim i sundimit të rendit dhe ligjit dhe luftimit të këtyre dukurive,të cilat tashmë e kanë ngulfatur shtetin tonë.

3. Si ministër i Punëve të Jashtme,Hashim Thaçi ka dështuar plotësisht në sjelljen e njohjeve të reja dhe në pranimin e Kosovës në UNESCO. Kosova ka bërë hapa prapa në të gjitha aspektet në integrimet ndërkombëtare.

4. Hashim Thaçi ka qëndruar të gjitha vitet në krye të një partie të akuzuar për krime të panumërta, duke mbajtur në gjirin e saj dhe duke financuar organizatën kriminale SHIK, e cila në raportet e ndryshme të organizatave ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe raportet e NATO-s, karakterizohet si një organizatë kriminale, e involvuar në kontrabandë, hajni, uzurpime e vrasje, deri te veprimtaria e saj, kundër NATO-s, vjedhjen e dokumenteve sekrete të saj dhe bashkëpunim me shërbimin sekret të Sërbisë.

5. Ndaj Hashim Thaçit janë bërë akuza publike se është agjent i Shërbimit të fshehtë francez,i cili siç dihet ka bashkëpunim të ngushtë dhe miqësor me shërbimin e fshehtë të Serbisë. Këto akuza Hashim Thaçi nuk i ka demantuar asnjëherë publikisht.

6. Mbi Hashim Thaçin qëndrojnë akuza të rënda për krime të llojllojshme, të cilat janë përfshirë në raportin e Dik Martit, në vendimin e Këshillit të Evropës dhe në hetimet e bëra nga prokurori amerikan Williamson, të cilat mund të jenë objekt i akuzave nga Gjykata Speciale. Do të ishte tepër poshtëruese për Kosovën që presidenti i saj i shtetit të shkojë si kriminel para kësaj gjykate.

7. Strukturat kriminale të SHIK-ut, i cili,siç thash ka qenë pjesë e strukturave kriminale të partisë së Thaçit, më 12 qershor të vitit 2000, pra në ditën e çlirimit të Kosovës, kanë tentuar të më vrasin. Kjo është vërtetuar edhe me vendim të gjykatës, e cila i ka dënuar të akuzuarit me 23 vite për tentimvrasje ndaj meje.

8. Strukturat kriminale të partisë së Thaçit akuzohen për vrasjen e veprimtarëve më të devotshëm kombëtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë dhënë kontribut të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, siç janë Enver Maloku, Xhemajl Mustava, Tahir Zemaj, Ahmet Krasniqi, Ukë Bytyqi, Smajl Hajdaraj, Shaban Manaj, Ismet Rraci, Sebahate Tolaj dhe shumë veprimtarë të tjerë.

9. Elektorati i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kërkuar dhe kërkon me ngulm në vazhdimësi që, ne deputetët e LDK-së, të mos marrim pjesë në procesin e zgjedhjes së Hashim Thaçit president të Kosovës, sepse me vetë pjesëmarrjen tonë në këtë proces, pavarësisht faktit nëse votojmë pro ose kundër, ne e bëjmë të mundur zgjedhjen e tij. Votimi do të jetë i fshehtë dhe nuk do të mund të dihet e as të verifikohet se si kanë votuar deputetët. Hashim Thaçi nuk mund të zgjidhet president, nëse nuk votojnë pro edhe deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Unë do t’i qëndroj besnik këtij elektorati, vullnetit dhe kërkesave të tij, pa marrë parasysh pasojat që kam pasur deri tash dhe që do të mund të kem edhe në të ardhmen për shkak të qëndrimit tim”.