Sami Lushtaku: Ivanovic n’shpi, na në burg!

Në fjalën e tij gjatë seancës në Gjykatën Supreme, Sami Lushtaku, Rastin “Drenica 1” e krahasoi me atë të Oliver Ivanovic’it.

“Unë tanë kohën kam kërkue nga prokuroria prova, nëse i referohesh aktakuzës tonë dhe asaj të Oliver Ivanovicit aty janë të vramë me emna dhe mbiemna dhe ai sot asht n’shpi. E sot na jemi në burg për vrasje, të cilat nuk egzistojnë”, tha Lushtaku.

Lushtaku ishte dënue në vitin 2015 me 12 vjet burg nga Gjykata Themelore në Mitrovicë për nji vrasje të kryeme në vitin 1998, edhe pse nuk dihej kush ishte vra, ndërsa vitin e kaluem Gjykata e Apelit e dënoi Lushtakun për përgjegjësi komanduese me 7 vjet burg.

Oliver Ivanovici që po gjykohet po për krime lufte, u lirue nga arresti shtëpiak në muejin Prill.

Lushtaku ma tutje gjatë fjalës së tij, tha se nuk asht e vërtetë që ishte ba komandant i shtabit të Zonës Operative të Drenicës në kohën kur shkruhet në aktakuzë në Shtator të vitit 1998, por ma vonë.

Lushtaku gjithashtu mohoi se ka banue afër vendit në Likovc ku prokuroria pretendon se u mbajtën të ndaluemit e kohës së luftës.

Ai tha se kishte me dashtë me qenë komandant me tanë kuptimin e fjalës, por ashtu nuk ishte në kohën e luftës së UÇK.

“Shumë kisha pasë qejf që vërtet të ishim komandantë me tanë kuptimin e fjalës, me ushtri, me kazerma, me reparte, por fatkeqësisht nuk kemi qenë. Dihet botnisht se lufta e UÇK ka qenë vullnetare, as unë e as gjeneral Syla, as Jahiri nuk kemi qenë komandantë të kabineteve, të zyrave, por në vijën e parë”, tha Lushtaku.

Mandej, Lushtaku tha se nuk i beson kësaj drejtësie.