Shaban Murati: Disa media shqiptare financohen prej Rusie!

Diplomati Shaban Murati ka ngrit shqetësimin për atë që e cilëson si ndikim i lobit rus në jetën mediatike dhe politike në vendin tonë.

Ish-ambasadori i Shqipnisë në Suedi i referohet heshtjes që pasoi në median shqipe të rezolutës së Parlamentit Europian për rrezikun e luftës hibride, term që adreson praktikat komplekse ushtarako-politike dhe mediatike që i atribuohen Rusisë së Vladimir Putinit që nga konflikti i Ukrainës.

Nëse kisha me u pyetë përse gjithë kjo heshtje në politikën dhe në mediat e Tiranës për rezolutën alarmante të Parlamentit Europian mbi rrezikun e luftës hibride dhe informative të Rusisë kundër BE dhe Europës, të miratueme me 23 Nandor, përgjigja ime do t’ishte “ndikimi i lobit rus në Shqipni”.

Sepse mediat dhe portalet shqiptare, që kanë dy vjet që glorifikojnë Rusinë dhe Putinin çdo ditë, nuk gjetën asnji hapësinë për me dhanë të paktën lajmin se Parlamenti Europian me datën 23 Nantor miratoi rezolutën “Komunikimi Strategjik i BE për me kundër balancue propagandën anti-BE nga palë të treta”.

Shqipnia asht shtet kandidat i BE’s, i cili ka marrë edhe rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE, dhe padyshim asht i lidhun dhe duhet me qenë i interesuem për çdo akt politik dhe legjislativ, që ndërmerr Parlamenti Europian, dhe që ka të bajë me interesat dhe vlerat themelore demokratike të BE, ku Shqipnia ka me u ba anëtare”, shkruen Murati për Gazeta Shqiptare.

Shaban Murati

Shaban Murati

Simbas tij, solidariteti servil i Beogradit asht i kuptueshëm, sepse Serbia asht ndër kanalet kryesore të penetrimit subversiv rus në shtetet e Ballkanit, tue perfshi edhe Shqipninë.

“Mjafton me lexue me vëmendje rezolutën e Parlamentit Europian dhe ka me konstatue se në të janë rreshtue rreziqe, kercënime dhe veprime të damshme, që Rusia po i zhvillon dhe në drejtim të Shqipnisë”- shkruen ai.

Madje në shkrimin e tij, Murati shkon edhe ma tej tue denoncue se këto media, kanë të paktën 2 vjet që glorifikojnë Rusinë.

“Kemi tërhequr pareshtur vëmendjen e institucioneve dhe të lexuesve për format e ndërhyrjes dhe të presionit të lobit rus në Shqipëri. Kemi tërhequr vëmendjen për devijimin antikombëtar të shumë mediave, portaleve dhe shoqatave joqeveritare, që marrin financime nga Rusia. Kemi tërhequr vëmendjen për think-tanke, qendra studimore e institute me orientim pro rus, që janë hapur në Shqipëri këto dy vitet e fundit. Kemi tërhequr vëmendjen për grupet ekstremiste shqiptare, të majta dhe të djathta, që kërkojnë të destabilizojnë Shqipërinë dhe të krijojnë terren për një influencë ruse në vendin tonë. A e dini se nga zyrat shtetërore janë larguar njerëz nga puna, kur e ka kërkuar ambasada e Rusisë? Nuk e di se sa janë dëgjuar këto paralajmërime, por tani keni një dokument zyrtar të BE, rezolutën e posaçme të Parlamentit Europian për rreziqet nga lufta hibride dhe informative ruse”, shkruen Murati.