SHBA dyshon se Serbia po ndërton qendër ruse të shpijunazhit afër kufinit me Kosovën

Washingtonin asht tue e shqetësue ndërtimi i qendrës humanitare ruse në Serbi dhe veçanërisht për statusin e kësaj qendre.

Edhe ambasadori i SHBA’ve në Serbi, Kyle Scott, ka thanë se ka arsye për shqetësim, për shkak të kësaj qendre ruse në Nish.

Zyrtari i naltë i Departamentit të Shtetit, Hoyt Brian Yee, gjatë nji seance për rajonin në Senat ku senatorë dhe ekspertë bajnë thirrje për vazhdimin e angazhimit amerikan në Ballkan për me zmbrapsë ndikimin rus. Ai ka thanë se kjo asht jetike për SHBA’të mbasi po i ndihmojnë Serbisë me hy në BE edhe pse kjo e fundit ka lidhje historike me Rusinë, transmeton lajmi.net.

“Unë jam i shqetësuem për të ashtuquejtunën qendër humanitare, jo për shkak të asaj që asht tash, por për shkak të asaj që mundet me u ba në veçanti, nëse Serbia i plotëson ato që kërkon Rusia. Unë nuk besoj se Rusia ka qëllime të mira për me ndihmue Ballkanin me hy në BE”, ka thanë Yee.

Simbas tij, qendra në Nish në afërsi të kufinit me Kosovën ku nuk ka trupa amerikane e as anëtarë të forcës paqeruejtëse të NATO’s, nuk asht zhvillim pozitiv.

“Serbia ka në kontroll të plotë territorin e saj dhe gjithçka në të. Nëse e lejojnë Rusinë me formue nji qendër për shpijunazh do humbin kontrollin mbi nji pjesë të territorit të saj”, ka theksue Hoyt Yee.

Ai ka shtue se Rusia po e përdor mvarësin e Ballkanit Perëndimor si dhe dobësinë e tij: korrupcionin, mediat pa liri të shprehjes, tensionet mes fqijëve.