Shejtnimi i Nanës Tereze: Shtohen masat në kryeqytetin italian

Me rastin e Shejtnimit të Nanë Terezës, në kryeqytetin italian Romë kanë me u shtue masat e rendit publik për me garantue sigurinë e tanë besimtarëve që kanë me marrë pjesë në këtë organizim unik.

Gjatë orëve të fundit, Prefektja e Romës Paola Basilone ka ba publik planin e ri të sigurisë, që ka me u vnue në zbatim në kryeqytetit italian me rastin e organizimit të Shejtnimit të Nanë Terezës.

Ky organizim ka me u zhvillue më 4 Shtator në sheshin “Shën Pietro” në Vatikan. Prej orës 8:00 të mëngjesit të datës 2 Shtator e deri më oren 15.00 të datës 4 Shtator kanë me hy në zbatim rregulla të reja të sigurisë me shtimin e masave kundër rrezikut terrorist. Simbas urdhnesës së Komunës së Romës, në territorin përreth mureve të Vatikanit, e në disa rrugë që lidhin qëndrën e Romës me Vatikanin ka me u ndalue lëvizja e automjeteve që transportojnë municion, landë shpërthyese, fishekzjarrë, armë apo substanca toksike.

Gjithashtu, kanë me u ndalue tana aktivitetet që mund të shfrytëzohen apo instrumentalizohen për me shmangë urdhnin e sigurisë së Komunës së Romës.

Plani i sigurisë së naltë në Romë me rastin e shejtërimit të besimtares me origjinë shqiptare Nanë Tereza, parashikon dhe ndalimin e filmimeve kinematografike e televizive që kërkojnë përdorimin e armëve për efekte skenike si dhe të pajisjve të ngjashme me ato të që janë në përdorim nga forcat e rendit dhe ushtria.

Gjatë ditëve të organizimit të shejtnimit, besimtarët e adhuruesit e veprës së Nanë Terezës munden me vizitue eshtnat e saj më datë 3 Shtator në Bazilika e Shën Gjonit në Lateran si dhe nga data 6-8 Shtator në Kuvendin e Shën Gregorit në Romë.