Shpend Ahmeti kallxon arsyet pse hyni në Vetëvendosje!

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në Zonën e Debatit foli për arsyet pse ai vendosi të hynte në Lëvizjen Vetëvendosje si dhe për fatin e tij në këtë subjekt politik.

“Kam hye në Vetëvendosje sepse e perfaqësoj nji vijë të mendimit dhe në këtë situatë që mbretnon në Kosovë, ma së miri gjendem aty”.

“Kam punue në programin e Levizjes Vetëvendosje dhe qendroi mbrapa tij. Programi i Vetëvendosjes asht social-demokratik dhe unë jam social-demokratik, prandaj jam në Vetëvendosje”, tha Ahmeti.

Ahmeti tregoi se në jetën politike nuk ka hy për pushtet e për pozitë.

“Në politikë nuk kam hy për poste. Nëse do të pretendoja për kryeministër, do të gjaja rrugë për me depërtue. Në politikë hyna për të ba ndryshimin”, ka shtue ai.

Ai u shpreh se kur blloku opozitar që qendroi disa muej së bashku u prish, ai u dëshpërue mbasi që u shue nji shpresë për ndryshim.

“Jam dëshpërue tepër kur u qa blloku. Jo pse kisha shpresa të mëdha te AAK apo NISMA, por kisha shpresa se ajo opozitë e bashkueme do të ishte mekanizmi i ndryshimit”, ka thanë nder të tjera Kryetari i Prishtinës.