Shqipnia i premton Kosovës portin e Durrësit

Unifikimi i tregut nuk asht thjesht nji dëshirë politike, por asht nji proces konkret i cili hap mbas hapi dhe vit pas viti po bahet edhe ma i prekshëm.

Kështu u tha në tryezën “Dialogu ndërshtetnor, të bamit biznis dhe sfidat e qasjes në tregjet respektive”, ku morën pjesë dy ministrat e Financave, ai i Kosovës dhe i Shqipnisë, drejtorja e Doganave dhe ajo e Administratës Tatimore të Shqipnisë si dhe përfaqësuesit e Odave Ekonomike në Kosovë.

Mbas fjalimeve të dy ministrave, tryeza ishte e mbyllun, por për detaje të ma hollsishme lidhun me debatin që u zhvillue mbrapa kamerave, ata dolën në konferencë për media.

Me këtë rast Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti tha se ky asht nji takim parapërgatitor për mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive.

Hoti tha se ende duhet punue për unifikimin e tregut të përbashkët dhe se do të hapen rrugët për heqjen e barrierave që kanë mbetë ende, ato kufitare dhe tregtare.

Nga ana tjetër Ministri i Financave të Shqipnisë, Arben Ahmetaj, tha se janë në përpjekje me thjeshtësue procedurat doganore dhe tregtare. Simbas tij importuesit kosovarë dhe Kosova mundet me e shfrytëzue portin e Durrësit, ka me funksionue si ndalesa e fundit për importuesit kosovarë.

Ai shtoi se tregtia në mes dy vendeve ka përmirësime dhe kanë mundësi volumet tregtare për t’u rrit edhe ma tej.