Shqipnia në misionin e NATO’s në Egje, dergon anije dhe 21 ushtarë

Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për t’ju bashkue operacionit të NATOs’s në detin Egje tue dërgue nji anije të klasit “Iliria” me 21 ushtarakë në mision.

Operacioni i NATO-s synon patrullimin në det dhe ndalimin e barkave me refugjatë që vijnë nga zonat e konfliktit.

Rama ka nenshkrue mbramjen e djeshme, “pjesëmarrjen e Forcave të Armatosuna të Republikës së Shqipnisë në operacionin e NATO’s “Aegean Sea”, të përbame nga 21 (njëzet e nji) ushtarakë dhe 1 (nji) anije e klasit “Iliria”.”

 

Në vendim përqaktohen detajet si ma poshtë:

2. Misioni i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë operacion është kryerja e patrullimit detar në përbërje të grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, SNMG2, në detin Egje, në kuadër të operacionit të NATO-s “Aegean Sea”.

3. Kohëzgjatja e pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë operacion është deri në 1 (një) vit, afat i cili fillon të llogaritet nga data e dërgimit të anijes dhe kontingjentit të parë, me sistem rotacioni. Periudha e rotacionit për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, pjesëmarrës në këtë operacion, do të jetë çdo 2 (dy) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin e kontingjentit të radhës (marrje dhe dorëzim detyre, vonesa të transportit strategjik etj.).

4. Venddislokimi i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë do të jetë në detin Egje.

5. Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës në këtë operacion dhe për anijen, të përballojë shpenzimet për:

a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) sigurimin e jetës;
c) ushqim;
ç) akomodim;
d) siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit;
dh) mbështetje shëndetësore;
e) telefon, komunikim SATCOM, internet, shërbim postar;
ë) sigurimin e anijes;
f) karburant, lubrifikantë;
g)shërbime lundrimi (taksa portuale, pilot, ujë, derdhje të ujërave të zeza, akostim qëndrimi, lavanteri etj.);
gj) mirëmbajtjen teknike dhe riparime të anijes, të paparashikuara;
h) transportimin e individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline;
i) aktivitete social-kulturore në rastet e festave kombëtare gjatë kohës së kryerjes së misionit;
j) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.

6. Transporti i personelit të anijes që do të marrë pjesë në operacion, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanteria, transporti i individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, përveç rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy- ose shumëpalëshe ku pala/ët tjetër/e tjera merr/marrin përsipër të përballojë/përballojnë këto shpenzime.

7. Ministria e Mbrojtjes të bëjë sigurimin e jetës për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët do të marrin pjesë në këtë operacion.

8. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
9. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.