Shqipninë e pret me 9 Nandor nji lajm historik!

Komisioni Europian ka me miratue me 9 Nandor 2016 vendimin historik për hapjen e negociatave me Shqipninë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga burime zyrtare në Bruksel, të cilat pohojnë se “Shqipnia pritet me marrë nji rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave por me kusht, rezultate konkrete nga reforma në drejtësi”.

Burime zyrtare nga Brukseli pohojnë për se “ligji i vetting’ut i dërguem në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike nuk do të jetë pengesë për dhanien e rekomandimit, mbasi me reformën në drejtësi, asht plotësue kushti kryesor për me dhanë rekomandimin pozitiv për Shqipninë për hapjen e negociatave”.

Mbas publikimit të raportit pritet që në Dhetor me u votue në Këshill.

Do të jenë vendet anëtare ato që do të vendosin nëse Shqipnia ka me hapë negociatat apo jo.

Marrja e nji rekomandimi pozitiv për Shqipninë asht arritja e dytë ma e madhe mbas marrjes së statusit të vendit kandidat në 2014.

Tashma, Shqipnia asht nji hap i madh përpara në procesin e integrimit, ndërkohë që zbatimi i reformës në drejtësi, pra rezultatet e para të saj duket do të jenë kushtet që do të kerkojnë në vijim Bashkimi Europian për me çelë negociatat.

Ky vendimi i BE’s për me dhanë rekomandimin pozitiv këtë vit, lidhet edhe me zgjedhjet që do të bahen në shumë prej vendeve anëtare, veçanërisht në Gjermani.