Shqiptarët e veriut në Mitrovicë kërkojnë lirimin e Nehat Thaçit

Përfaqësuesit e lagjeve të banueme me shqiptarë në veri të Mitrovicës, të cilët veprojnë në kuadër të organizatës ‘Këshilli i Veriut’, kanë shprehë shqetësimin e tyne në lidhje me arrestimin e drejtorit të Policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, që ka ndodhë ditë ma parë në Serbi.

Ata gjatë nji konference për media të mbajtun sot afër urës së Ibrit, kanë kërkue nga institucionet vendore dhe faktori ndërkombëtar që të merren seriozisht me fatin e drejtorit të policisë.

Nazmi Ismajli, kryetar i “Këshillit të Veriut”, ka kërkue lirimin e menjihershëm nga burgu të drejtorit Thaçi, për të cilin tha se po mbahet padrejtësisht.

Edhe Vehbi Beqiri, përfaqësues i ‘Lagjes së boshnjakëve’, ka kërkue lirimin e pakusht të Thaçit. Ai ka apelue te kryenegociatorja Edita Tahiri që të merret ma seriozisht me këtë rast, në të kundërtën të jap dorëheqje. Simbas tij, dorëheqje ishte dashtë të japin edhe ministri i Punëve të Mbrendshme Skender Hyseni, si dhe drejtori i përgjithshëm i policisë, Shpend Maxhuni.