Shteti cohet n’kambë për lirimin e Gafurr Dugollit

Në mbledhjen e sotshme të Qeverisë së Kosovës asht ngrit çashtja e arrestimit të Gafurr Dugollit nga autoritetet maqedonase.

Ministri i FSK’s, Haki Demolli, u ka kerku ministrive përkatëse të Qeverisë që të vazhdojnë perpjekjet për lirimin e shefit të protokollit të kësaj ministrie, t’arrestuem ditë ma parë nga Maqedonia simbas nji fletërreshtimi nga Serbia.

Ai po ashtu kerkoi angazhimin e institucioneve të Kosovës që përmes mekanizmave nderkombëtare të ndalet kjo praktikë e Serbisë, që të mos persëriten rastet.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm, Petrit Selimi njoftoi kabinetin qeveritar për kontaktet me Ambasadën e Maqedonisë në Prishtinë, por pa nji shpresë që shteti fqinj të ndryshojë qendrim.

Ai kerkoi që çashtja të diskutohet në Bruksel, që të ndalet kjo praktikë serbe të hartojë lista me akuza ndaj shtetasve të Kosovës pa argumente.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri tha t’i ketë shkrue BE’s për rastin dhe të ketë kerkue që rasti të mos trajtohet ashtu si e ka prezentue Serbia, por edhe që të ndërpritet kjo praktikë serbe.