Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon hetim të pamvarun për rastin në Deçan

Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK), shprehu keqardhje lidhun me rastin e ndodhun në Deçan, ku nji polic gjatë detyrës zyrtare vrau nji qytetar.

Me anë të një njoftimi, SPK i ka shpreh ngushëllime familjes së të vramit dhe kërkoi nga organet kompetente që në mënyrë të pamvarun me zbardh rastin.

Sindikata gjithashtu u ban thirrje qytetarëve me i respektue urdhnat e zyrtarëve policor.

Njoftimi i plotë:

Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK), si subjekt që mbron të drejtat e anëtarësisë së vet, e të cilët janë punonjësit e Policisë së Kosovës, që për mision kanë zbatimin e ligjit, në vazhdimësi ka theksuar dhe thekson se Policia e Kosovës është e popullit të Kosovës, e cila duke zbatuar në praktikë misionin fisnik të definuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjit të Policisë, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe institucioneve të Republikës ka për detyrë t’iu ofrojë rend, qetësi dhe siguri, detyrë kjo të cilën e bëjnë çdo ditë në vazhdimësi.
Kryesia Ekzekutive e Sindikatës të Policisë së Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 20.04.2015, ka analizuar rastin që ndodhi në Deçan me 18.04.2016 rreth orës 02:05 në rr. ”Luan Haradinaj”, përballë pompës të derivateve “Al Petrol”, afër portës së rrethojës së jashtme të stacionit policor në Deçan, me ç’rast një pjesëtar i Policisë të Kosovës, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare ka përdorur armën e tij zyrtare me qëllim të parandalimit të sulmit ndaj tij.
Kryesia e ekzekutive e SPK-së me keqardhje pranoi lajmin se në këtë rast pati një viktimë dhe familjes të të ndjerit u shpreh ngushëllime për humbjen e anëtarit të familjes së tyre.
Duke respektuar kompetencën e organeve të juridikaturës, Sindikata e Policisë mbështet këto organe kompetente që me përpikëri dhe në mënyrë të pavarur të hetojnë dhe ndriçojnë rastin.
Kryesia e SPK-së u drejtohet qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe t’u binden urdhrave të tyre të ligjshme, sepse ata janë të autorizuar të zbatojnë ligjin, t’i mbrojnë institucionet e Republikës së Kosovës, qytetarët, pasurinë e tyre, por edhe vetveten. Këto autorizime zyrtarëve policorë ua garantojnë ligjet e Republikës së Kosovës, Ligji i Policisë, andaj, pa pasur qëllim ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë, konform legjislacionit në fuqi u bëjmë thirrje organeve kompetente të drejtësisë të rishqyrtojnë “domosdoshmërinë” e masës së paraburgimit. Theksojmë se sulmet mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk mund të definohen ndryshe përpos akte të dhunshme ndaj Policisë, të cilat janë të dënueshme dhe të sanksionuara me ligj.