S’ka buxhet për me luftue krimin

Forcimi i sundimit të ligjit vazhdon të mbetet retorika kryesore e udhëheqësve të institucioneve në Kosovë, ndërsa mbështetja financiare për organet e drejtësisë asht larg nevojave të tyne. Ndonëse në kërkesat, të drejtueme Ministrisë së Financave, kanë kërkue rritje të buxhetit për vitin e ardhshëm, institucionet e drejtësisë, me theks të veçantë Prokuroria e Shtetit, edhe gjatë vitit 2017 kanë me pasë buxhet të limituem.

Kjo, për arsye se, Ministria e Financave ka parapa që të ndajë buxhet të përgjysmuem kundrejt kërkesave të tyne, edhe pse gjatë ndigjimit publik për Projektbuxhetin e vitit 2017 ministri i Financave, Avdullah Hoti, kishte ba të ditun se “i kanë adresue plotësisht nevojat, të cilat i kanë organet e drejtësisë, në mënyrë që të krijohen kapacitete për sundimin e ligjit në Kosovë”, shkruen gazeta ‘Zeri’.

Prokuroria e Shtetit, që asht organi kryesor i ndjekjes penale në vend, edhe gjatë vitit të ardhshëm ka me pasë mungesë të mjeteve financiare. Kjo, për arsye se, Ministria e Financave nuk jau ka aprovue kërkesën e tyne për rritje të buxhetit. Simbas Hekrem Lutfiut, nga Këshilli Prokurorial, buxheti i parapamë për vitin 2017 nuk i plotëson as për së afërmi nevojat e tyne.