Sot mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës ku ka me u votue ratfikimi i kësaj marrëveshje

Kuvendi i Kosovës ka me u mbledhë sot në seancë plenare, në të cilën ka me shqyrtue nji varg projektligjesh dhe raportesh.

Në mbledhjen e sotme, mbas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, ka me u votue Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Europiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, ndërsa mandej ka me u procedue me zgjedhjen e tre anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe të drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Në vazhdim, deputetët kanë me ju kthye serish projektligjeve, me ç’rast pritet me u shqyrtue për herë të dytë gjashtë sosh: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizueme, Projektligjin për regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve dhe masave për punësimin e të papunëve, punëkërkuesve dhe punëdhanësve, Projektligjin për energjinë, Projektligjin për energjinë elektrike, Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, si dhe Projektligjin për gazin natyror. Mandej, ka me u shqyrtue propozim-vendimi për caktimin e pagës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.