Sot nuk asht nji datë e zakonshme për Shqipninë dhe Kosovën. Por, shumë nuk e dinë këtë

Qysh i stërvitëm për luftë djemtë e Kosovës 25 vjet ma parë…” Ylli Mici, ish-ushtarak dhe pedagog pranë Akademisë Ushtarake kallxon nji moment të rrallë të karrierës së tij; stërvitjen për luftë të 106 djemve nga Kosova në Tiranë. Nji moment historik dhe i guximshëm për ata që morën pjesë në këtë pregaditje, mes tyne edhe Adem Jashari…

Sot nuk asht nji datë e zakonshme për Shqipninë dhe Kosovën. Por, shumë nuk e dinë këtë.

25 vjet ma parë, me nji marrëveshje të shtetit shqiptar të asaj kohe dhe disa grupimeve në Kosovë, u ba e mundun ardhja dhe stërvitja e 106 djemve nga Kosova. Nji grup erdhi në 1 Tetor dhe tjetri në 1 Nandor.

Qëllimi ishte i qartë: stërviteshin për luftë. Nji grup pedagogësh nga Akademia Ushtarake u vnunë në dispozicion të tyne. Baza ku kishin me qendrue ishte në Surrel. Gjithçka në msheftësi të plotë.

Ata mësuen mbi të gjitha se nuk ishin vetëm. Shqipnia po i mbështeste. Kjo u dha zemër dhe u rriti vetëbesimin.

Sot kjo datë e randësishme asht lanë tanësisht në harresë, jo ma shumë nga ata që kanë ba pjesë në këto grupime, por nga institucionet. Asht nji datë që ka shejue nji fillim të ri për Kosovën dhe kjo i dha frytet e veta vite ma vonë.

Ylli Mici, në atë kohë pedagog dhe shef katedre në Akademinë Ushtarak ka qenë nji ndër personat që ka stërvitë ata djem. Ka punue në ushtri për 13 vjet. Në ’93 asht shkëputë.

U takuem me Micin për me përkujtue këtë datë të randësishme. Në këtë intervistë për Dita’n , 60-vjeçari nga Tirana na kallxon ma shumë rreth këtij momenti historik.

Intervista e plotë

Mici, çfarë përfaqëson për ju 1 Nandori?

Është një datë e rëndësishme, pasi 25 vite më parë, kur në vendin tonë ishte President Ramiz Alia dhe ministër i Brendshëm Perikli Teta, me anë të një bashkëveprimi politik u bë e mundur ardhja e dy grupeve nga Kosova me qëllim stërvitje dhe përgatitje për luftë. Për herë të parë ndodhte kjo dhe në fshehtësi të plotë.

Qeveria Shqiptare me këtë rast, nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, mori të gjitha masat dhe vuri në dispozicion të kësaj stërvitje gjithçka, që ajo të kryej me sukses, që nga ambientet e strehimit që ishte në Surrel, rrëzë malit të Dajtit e deri te poligonët, armatimet, ushqimet dhe gjithçka tjetër.

Si u organizua e gjithë kjo, si erdhën ata këtu dhe çfarë mësuan?

Qeveria kishte një marrëveshje me strukturat në Kosovë. Për drejtimin e kësaj stërvitje u zgjodhën pedagogë me përvojë nga Akademia Ushtarake në Tiranë të cilët bënë ç’është e mundur që brenda afatit një mujor të çdo grupi, të arrihej një përgatitje luftarake maksimale, për secilin nga pjesëmarrësit që stërvitej.

Veprimtaria kryesore ishte njohja dhe përdorimi i armatimit, këmbësorisë, taktikën e luftës partizane, përgatitjes fizike, por u morën njohuri edhe për përdorimin e mjeteve xhiniere, ndërlidhjes, artilerisë, dhënies e ndihmës mjekësore etj. Këto ushtrime patën një efekt shumë pozitiv te pjesëmarrësit duke i bërë mjeshtër të qitjes, njohës të taktikave të luftës guerile dhe shumë të vlefshme për realitetin luftarak që po trokiste në Kosovë.

Çfarë erdhi më pas?

Në dhjetor të ’91, me përfundimin e kësaj stërvitje, 33 të rinj nga këta djem shprehën dëshirën që do të shkonin në Kosovë me armatim, që ishte një guxim i madh për atë kohë. E realizuan këtë duke kaluar kufirin.

Edhe pse në vitin 1991 në Kosovë, represioni serb ishte shumë i egër, ata e sfiduan këtë represion, zgjodhën rrugën e sakrificës, duke u përgatitur për luftë. Këta të rinj ishin pjesëtar të veprimtarisë së parë ushtarake të organizuar në këto përmasa.

Për herë të parë u bë kalimi i armatosur dhe në mënyrë të organizuar i kufirit, Shqipëri-Serbi. Me këto grupe u hodhën themelet e lëvizjes guerile dhe fillesat e rezistencës së organizuar të UÇK-së që vit pas viti i rrit dhe u shumëfishua me pjesëmarrjen e qindra luftëtarëve të tjerë deri në çlirimin e Kosovës.

Nga radhët e tyre dolën dhe heronjtë e lavdishëm të Kosovës si, Adem Jashari, Sali Çekaj dhe Zahir Pajaziti e shumë dëshmor që ranë për lirin e Kosovës.

Kjo veprimtari i përket historisë së Kosovës, por në atë kohë e rriti moralin e tyre luftarak dhe krijoi besimin se shtetin shqiptar do ta kishin gjithmonë pranë.

Këta të rinj, me ardhjen në Shqipëri u treguan patriot, trima dhe guximtar dhe pas kësaj përgatitje ushtarake, me kthimin në Kosovë, për mua, ata, të barabartë startuan një maratonë heroike. E si në çdo maratonë ka një klasifikim, ku ndër ta, në podium e nderit janë Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çekaj.

Çfarë karakteristikash kishin ata djem që erdhën për t’u stërvitur?

Po duhet patur parasysh që në atë periudhë, ish-Jugosllavia ishte në prag shpërbërje. Dihen vuajtjet e populli të Kosovës nga Serbët, por ata që erdhën këtu, për momentin u treguan më të devotshëm dhe arritën që të vinin në Shqipëri duke kaluar një sërë peripecish. Nuk ishte kollaj në vitin ‘91, jo ta bëje, por të mendoje një veprim të tillë, duke ardhur në Shqipëri, për t’u përgatitur ushtarakisht dhe të ktheheshe në Kosovë. Këta ishin persona që kishin një ndjenjë të lartë atdhedashurie.

Edhe pse Shqipëria i priti dhe i trajnoi, më vonë është folur për një dekonspirim të mundshëm nga Tirana zyrtare, ju ç’mendoni?

Nuk e besoj sepse ishin marrë masa shumë të forta në lidhje me mbajtjen e tyre në vendqëndrim, në stërvitje… megjithatë, mund të ketë ndodhur. Kur është një pjesëmarrje kaq e madhe mund të ketë edhe dekonspirime. Ndoshta ka patur vet aty diçka që mund të ketë rrjedhur. Për dekonspirim nga ana jonë, nuk besoj. Nuk ka kuptim, pasi nuk arrihej asgjë. Nuk është se ngeci kjo punë, ajo vazhdoi dhe u realizua.

A janë këto dy grupe fillimet e UÇK-së?

Këto janë fillesat e UÇK-së. Një pjesë e tyre, pas kthimit në Kosovë filloi të merrej me aksione, me prita të ndryshme, me sulme ndaj një qendre të policisë serbe. Këto janë zanafilla dhe fakti që shumica e tyre u përfshin në këtë lëvizje, tregojnë që këto ishin zanafilla e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sa mendoni ju që u ka shërbyer kjo stërvitje?

Për ata që e vazhduan veprimtarinë luftarake në radhët e UÇK-së kjo ka qenë një përgatitje shumë e lartë dhe me siguri ata duhet ta kenë ndjerë epërsinë që kanë patur ndaj kolegëve të tyre në përgatitjen ushtarake në saj të kësaj stërvitje që bënë. Ishte një përgatitje dhe stërvitje shumë e specializuar.

Të cilës moshë ishin ata që erdhën?

Ishin mosha nga 17 vjeç, që ishin dy të rinj, deri në 54 vjeç që ishte më i vjetëri. Pastaj, kjo është punë zemre më shumë se sa moshe. Në stërvitje që u bëja unë, ishin shumë të përkushtuar. Fakti që kanë ardhur me dëshirë, tregon që ishin njerëz që donin të mësonin më shumë në këtë drejtim.

Adem Jashari ishte një ndër më të mirët. Ishte shumë i përkushtuar. Ademi u caktua edhe komandant toge aty dhe shpesh komunikoja me të për probleme me grupin. Kishte staturën e një lideri.

Si ishte nga afër Adem Jashari, ju keni patur kontakte edhe më vonë me të?

Po, më ka ardhur disa herë në shtëpi, kur vinte në Tiranë. Ishte fjalë pak dhe njeri i mirë.

Sa zgjati stërvitja?

Një muaj për secilin grup

Ku u strehuan?

U akomoduan në Surrel. Ka qenë një bazë e ushtrisë në rrëzë të malit të Dajtit, aty zhvillonin edhe disa disiplina të tjera të përgatitjes.

z. Mici, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kjo periudhë, tetor, nëntor, është përkujtuar?

Nuk është përkujtuar. Nuk kam dijeni. Kam qenë i ftuar për disa raste e aktivitet, por jo për këtë. Një muaj më parë, në Tiranë erdhën 30 persona për të kujtuar 25 vjetorin e stërvitjes që kanë bërë në Shqipëri. Ishte grupi i parë. Po ata erdhën vetë, ishin të pa organizuar. Dëshironin të vinin një pllakat në Surrel, me emrat që janë stërvitur aty, por ka mbetur thjesht një ide, deri më tani. Kosova ka institucione, siç përkujtojnë ngjarje të rënieve të dëshmorëve, mundet edhe kjo datë të futet në agjendën tyre.

Sot është dita që ka ardhur grupi i dytë. 25 vite më parë jemi takuar me Adem Jasharin. Na takon ta përkujtojmë këtë moment për vetë përmasat që mori kjo luftë dhe për kontributin që ai dha në të.

Ademi nuk ishte vetëm. Kishte nipin e tij dhe një pjesëtar tjetër të familjes. Ishte Ademi, Murati dhe Saiti. Fakti që nga ‘91 e deri sa u flijua qëndroi me armë në krah, tregon që ishte atdhetar. Flijoi jetën, flijoi familjen, çfarë mund të bësh më shumë për vendin?

Kush duhet ta kujtojë këtë datë përveç jush që ishit aty atëherë?

Po kjo nuk është personale. Kjo datë ka hyrë në historinë e Kosovës. Duhet të ketë një institucion, një protokoll që merret me këto data. Unë mendoj që nuk duhet nënvleftësuar. Është fillesa e veprimtarisë ushtarake. Fillesa e bashkëpunimit me Shqipërinë në këtë fushë. Kjo i ndërgjegjësoi, i aftësoi, i ngriti nga ana morale, pasi nëse nuk je i përgatitur, nuk ke armatim, nuk i hyn kësaj pune. Nuk luftohet me dru! Jeta e tyre luftarake filloi që në Shqipëri.

Ju jeni i kënaqur që keni dhënë një kontribut në këtë histori?

Unë ndjej një kënaqësi personale që në këtë karrierë, jo fortë të gjatë ushtarake, kam patur një episod të tillë. Koha dhe rastësia bëri që unë të isha aty në atë vend dhe për mua është një kujtim shumë i bukur në jetën time. Ka një vlerë të veçantë kur mendon se ajo stërvitje shërbeu dhe që ne kemi ndihmuar sado pak.

Ka një debat tani në media mbi Kosovën. Ju çmendim keni?

I kam dëgjuar këto debate. Ka edhe prej atyre që thonë: S’na ka ndihmuar Shqipëria, s’na ka përkrahur. Më duket një debat pa vend dhe nuk e kuptoj se çfarë interesash kanë, të kapen kot. Ja, mjafton kjo për të cilën po flasim, e cila është ngjarje konkrete për të treguar nëse ka patur apo jo ndihmë. Madje, ndihmë edhe shtetërore, se po mos të donte shteti ishte e pamundur. Nuk e di pse bëhet ky debat.

Dita