Sot protesta për heqjen e barrikadave në Veri të Mitrovicës

Sot pranë barrikadës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, Iniciativa Qytetare për Veprim organizon akcion protestues për heqjen e barrikadave në veri të Mitrovicës, kthimin e shqiptarëve në shtëpitë dhe pronat e tyne, si dhe ndaljen e spastrimit etnik dhe kolonizimit që Serbia po e ban atje.

Ky akcion asht hapi i parë i Iniciativës Qytetare për Veprim me qëllim organizimin, sensibilizimin dhe angazhimin qytetar për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në veri.

“Iniciativa Qytetare për Veprim asht organizim qytetar, i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare për angazhim në zgjidhjen e problemeve politike, ekonomike dhe sociale. Mendojmë që qytetaria aktive asht promotori themelor i ndryshimeve të domosdoshme politike dhe shoqnore që duhet me ndodhë në vendin tonë”, thuhet në nji komunikatë të kësaj Iniciative.

Në komunikatë thuhet se, tue pa agresionin politik që shteti i Serbisë po ndërmerr në veri të Kosovës, tue kolonizue në tansi pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe mosveprimin e qeverisë së Kosovës, besohet që me angazhim dhe presion qytetar “kemi me detyrue BE’n dhe qeverinë e Kosovës që me i ndalë planet hegjemoniste të Serbisë për shkatërrimin e Republikës së Kosovës”.