Erdogan s’dorëzohet, tash vjen me urdhenarrest për Gulenin!

Nji gjykatë në Stamboll më 4 Gusht e ka lëshue nji urdhënarrest për klerikun turk që jeton në SHBA, Fetullah Gulen, tue e akuzue atë se ka dhanë “urdhën për grusht shtetin e 15 Korrikut”, kundër presidentit, Recep Tayyip Erdogan.

Gulen që jeton në azil të vetshpallun në shtetin amerikan të Pensilvanisë, e ka hedh poshtë akuzën.

“Tashma asht e dokumentueme se sistemi i drejtësisë së Turqisë nuk ka pamvarësi, dhe për këtë edhe ky urdhën arrest asht shembull i autoritarizmit të presidentit Erdogan dhe largimit prej demokracisë”, ka thanë Gulen.

Lëvizja që Guleni e udhëheqë insiston që ata janë rrjet humanitar që promovon Islamin tolerant.

Ankaraja e ka përsërit thirrjen ndaj SHBA’ve për me ekstradue Gulenin, por ende nuk ka ba kërkesë zyrtare për këtë ekstradim.

Megjithatë, Turqia ka dërgue dy grupe dokumentash në Washington prej dështimit të grusht shtetit, tue thanë se deshmitë janë për përfshimjen e Gulenit në puç.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka thanë se Washingtoni ka me marrë në konsideratë kerkesën, por ka thanë ai duhet patjetër të ketë deshmi të qartë se Guleni asht fajtor para se të vendoset për ekstradimin e tij.