Sulmi ndaj drejtorit të RTK, Qeveria: Partitë të heqin dorë nga kërcënimet, ultimatumet e shantazhet

Qeveria e Kosovës ka dënue ashpër sulmin me mjet shpërthyes në oborrin e shtëpisë së familjes së drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala.

Qeveria konsideron se ky akt kriminal, asht nji sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së mediave në Kosovë dhe përpjekje për pengimin e fjalës së lirë, si nji prej vlerave ma të randësishme në shoqninë kosovare.

“Qeveria e Kosovës fton organet kompetente që të ndriçojnë këtë rast dhe që kryesit e nxitësit e tij të përballen me forcën e ligjit, dhe po ashtu që të merren të gjitha masat për parandalimin e sulmeve të tilla në të ardhmen. Qeveria e Kosovës, po ashtu, shpreh përkrahje të plotë për përfaqësuesit e mediave në misionin e tyne fisnik për informimin e shoqnisë dhe për konsolidimin e fjalës së lirë”, thuhet në njoftim.

Në njoftim, Qeveria u ban thirrje përfaqësuesve të partive politike që të heqin dorë nga gjuha e dhunës, ultimatumet, kërcënimet dhe shantazhet që së fundi i kanë adresue ndaj RTK’s dhe disa mediave tjera private, të cilat janë pasue me sulme të tilla.