Suzanna Shkreli: Kam me qenë shqiptarja e parë në Kongresin Amerikan!

Suzanna Shkreli asht 29 vjeç. Asht grueja ma e re kandidate për Kongresin Amerikan, dhe shqiptarja e parë që kandidon për të qenë pjesë e Kongresit në Shtetet e Bashkueme, tue përfaqësue distriktin 8 të Michigan.

Ajo fitoi përballë kandidaturave të tjera demokrate, dhe tash garon përballë republikanit Mike Bishop, i cili ka qenë dy herë, pjesë e Kongresit.

Por, kush asht Suzanna Shkreli?

E lindun dhe rritun në Michigan, por me prejardhje nga Malësia e Madhe, asht fëmi i dy prindëve nga Ulqini dhe Gruda. Prindët Zef dhe Maria Shkreli, kanë emigrue në Amerikë për nji jetë ma të mirë për katër fëmitë e tyne. Suzanna ka nji motër ma të madhe, Diana, nji vëlla binjak, Paul , dhe Mark, vëllau i vogël.

E rritun në nji shtëpi ku asht inkurajue nga prindët për të studiue shumë, Suzanna përfundoi studimet në Universitetin Perendimor të Michigan, për drejtësi. Mandej, arriti të bahej prokurore në Macomb në Departamentin për Mbrojtjen e Fëmiëve në Shtetet e Bashkueme.

Kur iu propozue të bahej pjesë e politikës ajo nuk tha jo, sepse Suzanna Shkreli nuk i thotë kurrë jo, nji sfide.

Në nji intervistë ekskluzive për dritare.net, Suzanna flet mbi fushatën elektorale, dhe sa e randësishme asht për të, mbështetja nga shqiptarët.

Mbështetje, që i duhet të fitoje garën e saj, të grave si ajo, të shqiptareve si ajo. Sepse, nëse fiton Suzanna, jo thjesht ka me ba histori si shqiptarja e parë në Kongres, por ka me hapë rrugë për shqiptarët në Kongres. Ndaj, në votën për Suzanna Shkrelin, shqiptarët e Amerikës, nuk mund të ndahen në demokratë e repubikanë. Krejt kanë me votue Suzannën si shqiptarë.