Takimi i ardhshëm në Bruksel mundet me qenë Thaçi-Nikolic

Dialogu për Normalizimin e Marrëdhanieve mes Prishtinës dhe Beogradit, i ndërmjetësuem nga Bashkimi Europian ka hy në vitin e tij të 4, derisa po bahen 3 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së 19 Prillit, mes Hashim Thaçit e Ivica Dacic, atëherë përkatësisht Kryeministra të Kosovës dhe të Serbisë.
I nisun gati si personal, dialogu mes Thaçit e Dacic vazhdoi edhe mbas uljes së të dyve në rangun e Zv/Kryeministrave e njiherit të ministrave të Mbrendshëm, derisa drejtues të delegacioneve u banë, që prej vitit 2014, Kryeministrat e ri Isa Mustafa dhe Aleksandar Vucic.
Mirëpo zgjedhja e Hashim Thaçit President i Republikës duket se ka me e shmangë atë nga dialogu me Serbinë.
Bashkimi Europian nuk ka pranue me u përgjigjë në pyetjen e Televizionit Rrokum, nëse dialogu i Brukselit ka me u ngritë në nivelin e Presidentëve, mbas zgjedhjes së Hashim Thaçit President i Republikës.
Maja Kocijancic, zadhanësja e Shefes së Politikës së Jashtme të BE, Federicha Mogherini, deklaroi për Televizionin Rrokum se BE nuk përcakton pjesmarrësit në dialog.
Nuk mundem me konfirmue agjendën e as pjesmarrësit, – deklaroi Kocijancic.
Ndërsa burime të Televizionit Rrokum mbrenda Qeverisë së Kosovës thanë se çashtja e zavendësimit të Hashim Thaçit në dialogun me Serbinë s’asht diskutue ende. Megjithatë, shtuen burimet, përkrah Isa Mustafës në raundin ma të ri të dialogut në Bruksel, ka me qenë ministri i Jashtëm, cilido që emnohet në riformatimin e shpejtë të Qeverisë nga ana e Kryeministrit Isa Mustafa.
Por vetë zadhanësja e Mogherinit, Kocijancic konfirmoi për Televizionin Rrokum se ende nuk asht caktue asnji datë për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në këtë fazë nuk mundem me konfirmue asnji datë për dialogun e nivelit të naltë, – ishte përgjigja elektronike e Kocijancic për Rrokum TV.

Me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Serbi, edhe Beogradi mundet me ndryshue emnat e pjesmarrësve në dialogun me Prishtinën, varsisht prejt rezultatit të 24 Prillit. Megjithatë, mbetet me pa çfarë roli ka me marrë në qeverinë e re të Serbisë, Ivica Dacic, që bashkë me Hashim Thaçin e nisën këtë dialog në vjeshtën e vitit 2012, atëherë të ndërmjetësuem nga baronesha Catherine Ashton. Nga ana tjetër, fakti që deri mbas zgjedhjeve serbe nuk ka raund të ri të dialogut, e len të hapun mundësinë që edhe Bashkimi Europian me e konsiderue mundësinë e riformatimit të dialogut, ndoshta tu’ e rritë nivelin e përfaqësimit në rang të Presidentëve.

E nëse ndodh kjo, në takimet e Brukselit kemi me pa Hashim Thaçin tu’ shtrëngue duert me Tomislav Nikolic, i cili në mënyrë të përsëritun e ka përsëritë qasjen e tij mohuese ndaj realitetit të ri në Kosovë.