Tana strukturat e LDK’s mbështesin vendimin e deputetëve për me votue Demarkacionin

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka mbajtë takimin e radhës ku asht diskutue gjanësisht për procesin e ratifikimit të marrëveshjes për shejimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë takimit, janë rikonfirmue vendimet e të gjitha strukturave të LDK’s, të cilat i kanë përkrahë unanimisht deputetët e LDK’s në Kuvendin e Kosovës që të votojnë për ratifikimin e kësaj marrëveshje ndërshtetnore, të argumentueme nga ekspertët vendorë e ndërkombëtarë dhe të përkrahun fuqishëm nga Shtetet e Bashkueme të Amerikës dhe vendet e tjera partnere europiane.

Kryesia e LDK’s, tue iu referue takimeve të Kuvendit të Punës, Këshillit të Përgjithshëm, takimeve me kryetarët e degëve dhe të Kryesisë Qendrore, ka shprehë mbështetjen e fuqishme të të gjitha strukturave për deputetët në votimin e marrëveshjes, tue shprehë qëndrimin unanim se të gjitha strukturat e LDK’s qëndrojnë fuqishëm mbas vendimit të deputetëve për të votue në favor të kësaj marrëveshje që forcon shtetësinë, sovranitetin dhe perspektivën e Republikës së Kosovës.