Tanja Fajon: Demarkacioni kusht absolut për liberalizim

Raportuesja e Parlamentit Europian për liberalizim të vizave për Kosovën, Tanja Fajon, i ka ba thirrje Parlamentit të Kosovës me ratifikue marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, me qëllim të hapjes së procesit të liberalizimit të vizave.

Ajo tha se mbrenda javës së ardhshme komiteti i Parlamentit t’Europës për liritë civile, drejtësinë dhe sigurinë, ka me debatue për herë të parë për nji raport që ajo e ka përgaditun për liberalizim të vizave për Kosovën.

Në nji bisedë me Radion Europa e Lirë, Fajon tha se mbas bisedave të shumta të zhvillueme në Komision Europian, ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi asht vënë përfundimisht si kusht absolut për liberalizmin e vizave për Kosovën.

“Në raportin e fundit të Komisionit Europian asht thanë shumë qartë se Parlamenti i Kosovës duhet me ratifikue marrëveshjen e kufinit me Malin e Zi, përpara se të bahet liberalizimi i vizave.

Në ditët e fundit kam pas nji numër diskutimesh me Komisionin Europian dhe institucionet e tjera dhe do të inkurajoja që ratifikimi me ndodh sa ma shpejt të jetë e mundun, sepse në të kundërtën ne nuk do të mund të procedojmë tutje, madje as edhe me votimin në Parlamentin Europian”.