Tanja Fajon jep deklaratë të madhe për Kosovën lidhun me liberalizimin

Komisioni për liri qytetare, drejtësi dhe punë të mbrendshme i Parlamentit Europian të Ejten ka zhvillue debatin e parë për raportin për heqjen e vizave për Kosovën, në procesin e dhanies së pëlqimit për nji gja të tillë, mbasi kohë ma parë Komisioni Europian kishte dhanë rekomandimin.

Draft raporti për këtë, asht pregaditun dhe prezentue sot nga deputetja sllovene Tanja Fajon, e cila asht caktue me qenë raportuese për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Raportuesja për vizat në Parlamentin Europian, Tanja Fajon, në paraqitjen e saj ka rikujtue se Kosova ka përmbushë 90 kritere në proces, që asht shumë ma tepër se sa kriteret, të cilat kanë qenë për vendet tjera të rajonit të Ballkanit Perendimor.

Ajo ka thanë se, qytetarët e Kosovës në këtë moment munden me udhetue pa viza në vetëm 4 shtete dhe se ky izolim duhet me u heqë edhe përmes liberalizimit të vizave.

Edhe pse, ka thanë se, kushti që i asht vnue Kosovës që me ratifikue Marrëveshjen për Demarkacionin e kufinit me Malin e zi, ka qenë kusht shtesë, ajo ka ba thirrje që marrëveshja me u ratifikue dhe ka rikujtue deputetët e Parlamentit Europian se Qeveria e Kosovës asht e përkushtueme që me ba nji gja të tillë.

Tue adresue shqetësimet e disa shteteve për pasojat eventuale në rast të heqjes së vizave për Kosovën, Fajon ka thanë se autoritetet e Kosovës tashma kanë në funksion nji sistem të duhun të dhanies së dokumenteve me standarde të nalta të sigurisë dhe se po ashtu, vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë me i pasë në dispozicion mekanizmat për suspendimin e shpejtë të regjimit pa viza, në raste të keqpërdorimeve.