Të paktën 20 familje shqiptare kanë humbë gjithçka nga uragani

Ambasadorja e Shqipnisë në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, Floreta Faber, ka dhanë informacione lidhun me familjet shqiptare, të cilat ndodhen në Houston.

Me anë të nji statusi në faqen e saj në “Facebook”, ajo ka thanë se Houston ditën e sotme asht krejt i përmbytun, ndërsa rreziku i furtunës nuk ka kalue ende.

Ndërsa, shton se, edhe pse komuniteti shqiptar atje asht i vogël, të paktën 20 familje shqiptare janë prekë totalisht nga kjo fatkeqësi natyrore tue i rrëmbye shtëpitë, kerret dhe të gjithë pasuninë që ata kishin.

Statusi i plotë:

“Houstoni sot është i gjithi i përmbytur! Rreziku i furtunës nuk ka kaluar ende. Komuniteti shqiptar atje, megjithëse relativisht i vogël në numër, përbëhet nga 500-600 familje.

E prekur thellësisht për sa kam ndjekur përditësimin e ngjarjeve, ju drejtohem të gjithëve bashkëkombësve të mi, ju që po vuani pasojat e natyrës bashkë me të gjithë pjesën tjetër të popullsisë amerikane që jeton dhe punon në Houston dhe rrethinat e tij.

Nga kontaktet me autoritetet kemi mësuar se deri tani nuk ka pasur fatalitete ndërmjet familjeve shqiptare. Kam kontaktuar me drejtuesit e organizatës Arbëria Houston dhe jam informuar se janë të paktën 20 familje shqiptare të prekura totalisht nga kjo fatkeqësi natyrore duke iu rrëmbyer shtëpitë, makinat, dhe të gjithë pasurinë që ato kanë.

Së pari, shpresoj thellësisht që të gjithë të mbeteni jashtë rrezikut për jetën! Qyteti i Houstonit është akoma nën kërcënimin e faktorëve të natyrës, por edhe nën gjendje emergjence për arsye të rritjes së kriminalitetit në qytet.

Ju inkurajoj të bëni atë që shqiptarët bëjnë më mirë, të qëndroni sa më afër dhe ndihmoni njëri-tjetrin. Mos u ndjeni se jeni larg vendit, të afërmve apo miqve tuaj. Ju siguroj që vëmendja jonë është atje në Houston!

Kontaktet e Ambasadës në Uashington 202.223.4942, [email protected] dhe numri i emergjencës 202.758.9526 janë të hapura për çdo informacion apo për t’u lidhur me familjarët tuaj. Do ju vëmë në dispozicion të gjitha sa ne kemi mundësi.

Jemi me mendje dhe me zemër bashkë me Ju!

Floreta Faber

Ambasadore e RSH në Shtetet e Bashkuara”.