Të Premten organizohet protestë për me kundërshtue themelimin e komunës së Prilluzhës

Për me kundërshtue krijimin e komunës së Prilluzhës, e cila mendohet se ka me qenë pjesë e integrueme e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të Premten në Vushtrri ka me u organizue protestë.

Simbas organizatorëve, protesta ka me u mbajtë n’ora 13:00, në sheshin “Hasan Prishtina” të këtij qyteti.

Në arsyetimin e dhanë nga ana e atyne që po thërrasin në protestë, thuhet se themelimi i nji komune të tillë prek bazenin e thëngjillit dhe termocentralin.

Prilluzhë, Gracë, Babimoc edhe Plemetin, mendohet të jenë 4 fshatrat fillestarë për ta themeluar Komunën e Prilluzhës. Fshati Plemetin kufizohet me termocentralin dhe me një pjesë të pasurive të thëngjillit në Kosovë. Themelimi i Komunës së Prilluzhës, i jep të drejtë kësaj komune që ta kontrollojë dhe kushtëzojë përdorimin e thëngjillit. Përmes themelimit të kësaj komune dhe integrimit të saj në ‘Zajednicë’, Serbia merr kompetenca vendimmarrëse në përdorimin e thëngjillit të Kosovës”, thuhet në këtë lajmërim”, thuhet në njoftim.

Ma tutje theksohet se në territorin e këtyne fshatnave kalojnë edhe hekurudha, rruga nacionale, lumi Sitnica dhe kanali Ibër-Lepenc.

Toka bujqësore në këtë rajon ka rendiment të lartë. Me themelimin e kësaj komune rrezikohet që nën menaxhimin e ‘Zajednicës’ që duan ta themelojnë Thaçi e Mustafa, ajo tokë të tjetërsohet. Një pjesë e tokave të banorëve të fshatrave Stanoc i poshtëm dhe Stanoc i epërm, i mbeten tokat në Komunën që duan t’ia kalojnë Zajednicës. Ne nuk do të lejojmë që kjo të bëhet kurrsesi realitet. As ‘Zajednica’ as zgjerimi i saj në kurriz të Vushtrrisë e Obiliqit”, përfundon njoftimi.

Përndryshe, organizatore e protestës asht Lëvizja Vetëvendosje (VV).