Thaçi: Demarkacioni asht arritje e madhe në marrëdhaniet ndërkombëtare të nji shteti

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka theksue faktin se kanë mbetë veç edhe pak ditë nga votimi i Demarkacionit me Malin e Zi.

Simbas tij, të gjithë duhet me pasë besim te institucionet e Kosovës dhe te këshillat e partnerëve euroatlantikë.

Ky asht postimi i plotë:

Të dashur miq,

Pak ditë na ndajnë nga votimi i marrëveshjes së demarkacionit, ku do të na jepet sërish mundësia të dëshmojmë se jemi shtet serioz që përmbushim angazhimet e marra dhe jemi popull mirënjohës e besnik ndaj aleatëve tanë strategjik.

Unë ju ftoj të gjithëve të keni besim tek institucionet e Kosovës dhe tek këshillat e partnerëve tanë euroatlantik.

Mos dëgjoni pretendimet e rreme të akterëve politikë, që për përfitime të ngushta personale e partiake janë të gatshëm të rrezikojnë interesat e shtetit, integrimet euroatlantike dhe aleancën tonë strategjike.

Demarkacioni i kufijve me konsensus bilateral, siç e ka bërë Kosova me Malin e Zi, është një arritje e madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të një shteti, pasi kufijtë e pakontestuar garantojnë paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë.

Me këtë marrëveshje, Kosova çimenton tre nga katër kufijtë e saj shtetëror në mënyrë konsensuale dhe të pranuar ndërkombëtarisht e pastaj mbetet vetëm demarkacioni i kufirit me Serbinë, i cili në kuadër të integrimit evropian, në një të ardhme të afërt do të jetë i pashmangshëm për këtë shtet.

Prandaj, ratifikimi i marrëveshjes është interes shtetëror dhe i domosdoshëm për vizionin tonë euroatlantik.

Në aspektin afatshkurtër, ratifikimi i demarkacionit mundëson thyerjen e izolimit, pra lëvizjen pa viza dhe gjithashtu formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe fillimin e procesit zyrtar për anëtarësim në NATO.

Interesi shtetëror dhe përfitimet që ka Kosova nga ratifikimi, nuk lënë hapësirë për dilema dhe kauza të rrejshme politike.

Këtë gjë tashmë e kanë kuptuar shumica dërmuese e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët kanë shprehur zotimin e tyre se do ta votojnë marrëveshjen pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve. HTH