Thaçi: Demarkacioni s’ka arsye me u shtye ma, duhet me u votue me 1 Shtator

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi asht i bindun se Demarkacioni me Malin e Zi asht ba pa gabime dhe duhet të ratifikohet në Kuvend më 1 Shtator. Presidenti Thaçi foli edhe për skandalin e përgjimeve “Pronto” dhe për kërkesën e ndërkombëtarëve për ta luftue korrupcionin. Ai inkurajoi drejtësinë që të merret me të gjitha rastet “pa presion”.

Thaçi e quen të pakuptimtë dhunën dhe rreshtimin e opozitës kundër marrëveshjeve, ndërsa sulmet e fundit me bomba, simbas tij, “prekin vijat e kuqe të terrorizmit”

Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi nuk ka asnji arsye të shtyhet ma, por duhet të miratohet më 1 Shtator, në mënyrë që t’i hapet rrugë liberalizimit të vizave dhe formimit të FAK’ut. Kështu ka deklarue presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në intervistën dhanë gazetës “Zëri”.

Mosratifikimin e marrëveshjes mbrenda nji viti Thaçi nuk e quen papjekuni politike, por nevojë për shoshitjen e të gjitha modaliteteve dhe argumenteve lidhun me kufinin. Përveç opozitës, e cila po aplikon dhunë, ratifikimin, simbas presidentit, po e kërkojnë të gjithë në Kosovë, tue përfshi edhe faktorin ndërkombëtar.

“Asht për keqardhje që kjo dhunë ka vazhdue edhe mbas apeleve të qarta, të ardhuna nga përfaqësues politikë në Kosovë, nga përfaqësues të shoqnisë civile, të medieve dhe akademikëve; por edhe mbas apeleve të qarta të miqve ndërkombëtarë të Kosovës, tue përfshi edhe zyrtarët ma të naltë të Shteteve të Bashkueme të Amerikës”, thotë Thaçi.