Thaçi: Islami në Kosovë asht europian

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtë nji ligjëratë publike në “Këshillin Europian për Punë të Jashtme” (EFCR), ku ka folë për të arritunat dhe sfidat e Kosovës dhe të rajonit në rrugën drejt integrimit në NATO dhe në Bashkimin Europian.

“Nuk ka dyshim që Bashkimi Europian asht në nji udhëkryq të madh. BREXIT, vala e refugjatëve nga Azia dhe Afrika, ekspansioni i ri rus që ka shkaktue krizat si ajo në Ukrainë, kërcënimet që vijnë nga radikalizmi – politik dhe fetar, terrorizmi… lista e shqetësimeve asht bukur e gjatë për kontinentin tonë. Por, ku ndodhet Kosova në tanë këtë?”, e nisi prezentimin e tij presidenti Thaçi.

“Para 10 viteve, Kosova ende po diskutonte me bashkësinë ndërkombëtare të drejtën për me vendosë vetë për të ardhmen e saj politike. Për vetëm tetë vite si shtet, Kosova ka nënshkrue Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit që tashma ka fillue me u zbatue. Kemi marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe presim që këtë vit edhe qytetarët e Kosovës, ma në fund, me lëvizë të lirë në zonën Schengen. Jemi ba anëtare e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) të Kongresit Amerikan, mbasi kemi përmbushë kritere strikte të reformave në ekonomi, në politikë dhe në drejtësi”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Ma tej ai ka folë për besimin fetar të kosovarëve.

“Kosova, si dhe mbarë rajoni, asht shumetnike dhe shumfetare. Vërtetë kemi shumicë që i përket fesë islame. Por, asht ky nji Islam europian, që promovon tolerance, bashkëjetesën dhe paqen, ashtu siç ka ba për shekuj të tanë. Kjo vlerë e Kosovës dhe e rajonit, asht vlerë edhe për Europën”, tha Presidenti Thaçi.