Thaçi: Kam me shkue si President n’Izrael

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, n’intervistë për gazetën e Izraelit “Yedioth Ahronoth”, ka thanë se ai dëshiron të jetë Presidenti i parë i Republikës së Kosovës që ka me vizitue Izraelin.

Kjo gazetë e përshkruen President Thaçi, si njeriun që e ka dërgue Kosovën drejt pamvarësisë së saj, derisa para do dite u betue para deputeteve të Parlamentit të Kosovës.

“Pres me vizitue Izraelin. Kosova ka lidhje të gjata historike me shtetin e Izraelit, por edhe me komunitetet hebraik në tanë botën”, ka thanë Presidenti për Yedioth Ahronoth.

Gazeta shkruen se Izraeli, ndryshe nga shumica e shteteve perendimore, nuk e ka njoft pamvarësinë e Kosovës nga droja se kjo mundet me shërbye si precedent për Palestinën.

“Megjithatë, në 2 vjetet e fundit, mes dy shteteve ka pasë bashkëpunim në shumë fusha”, shkruen gazeta, e cila konsiderohet si e afërt me Presidentin aktual në Izrael, Benjamin Netayahu.
“Une jam i përkushtuem me punue në zhvillimin e marrëdhanieve me Izraelin me ndërveprime përmes njerëzve, në momentin kur shteti i Izraelit mundet me u ndi i gatshëm me njoft Kosovën”, ka thanë Thaçi për gazetën izraelite.

“Yedioth Ahronoth” shkruen se Presidenti, kur ishte kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në 2003, atë kohë në opozitë, e kishte vizitue Izraelin.

“Në vitin 2013, une e kam ngrite monumentin e vetëm që qëndron te dera e Qeverisë së Kosovës, i dedikuem për hebrejtë e Kosovës që u zhdukën në Holokaust”, ka shtue Thaçi.

Gazeta izraelite shkruen se gjithë aleatët ma strategjikë të Izraelit tashma e kanë njoft pamvarësinë e Kosovës.

Për Presidentin asht ironike që Izraeli bashkë me autoritetin palestinez nuk e kanë njoft Kosovën si shtet.

“Yedioth Ahronoth” kujton se autoriteti palestinez kishte votue kundër pranimit të Kosovës në UNESCO.

“Jam i gatshëm me ndihmue në adresimin e këtyne paragjykimeve dhe për me punue me udhëheqësit izraelitë në rritjen e shkëmbimeve miqësore. Gjatë kohës time si Ministër i Jashtëm, unë gjithashtu kam inicue hapjen e zyrës ndërlidhëse ekonomike të Kosovës në Izrael. Shpresoj se kam me qenë President që ka me vizitue Izraelin, për me hap zyrën tonë të ndërlidhjes”, ka thanë Presidenti.

Gazeta shton se shqiptarët e Ballkanit u mobilizuen për me i shpëtue hebrejtë nga persekutimi nazist.

Qinda hebrej u shpëtuen nga shqiptarët myslimanë në Kosovë dhe Shqipni, kujton gazeta izraelite.