Thaçi: Kuvendi s’duhet me sfidue t’ardhmen, me ratifikue demarkacionin

Kuvendi i Kosovës nuk ka me sfidue t’ardhmen euro-atlantike për çashtje të interesave të politikës dhe do ta ratifikojë demarkacionin, ka deklarue në nji intervistë për Radion Europa e Lirë, presidenti Hashim Thaçi.

Ai ka kërkue që edhe procesi i bisedimeve Kosovë – Serbi me kalue në nji fazë tjetër përmbyllëse që do të garantohej nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkueme të Amerikës dhe NATO.

Kurse, në lidhje me shkrimet për rritjen e anti-amerikanizmit në Kosovë, Thaçi ka deklarue se ato janë ekzagjeru, ngase populli i Kosovës asht ma pro-amerikan në botë.

 

Kjo asht intervista e plotë:

 

President Thaçi, kohëve të fundit jemi dëshmitarë të disa shkrimeve në mediat ndërkombëtare që flasin për rritjen e anti-amerikanizmit në Kosovë. Cili është mendimi i juaj, çfarë ka sjell deri te ky ndryshim i opinioneve ndërkombëtare karshi Kosovës?

Hashim Thaçi: Kosova ka treguar shembullin më të mirë në luftën kundër fundamentalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit. Është vlerësuar prej presidentit Obama dhe sekretarit Kerry si kampione në luftë kundër terrorizmit në rajon. Jemi pjesë aktive dhe dinamike e koalicionit anti-terrorist në botë. Kemi adoptuar legjislacionin që të jemi edhe më efikas në këtë betejë kundër së keqes.

Në anën tjetër, kemi ndërmarrë veprime ligjore të nevojshme dhe domosdoshme ndaj më shumë se140 personave, disa prej të cilëve imamë me renome apo të popullarizuar. Disa tashmë janë dënuar. Si dhe, ajo që është më e rëndësishmja, në shtatë muajt e fundit nuk ka pasur asnjë qytetar të Kosovës që është nisur në drejtim të Sirisë apo Irakut. Kjo është bërë falë syçelësisë së njerëzve tanë, falë vetëdijesimit të plotë, si dhe duke e kuptuar qartë se lufta e atjeshme nuk ka të bëjë me ndonjë ideologji apo besim, por me një ndërmarrje financiare-kriminale – ISIS, në të cilën qytetarët e Kosovës nuk duan të marrin pjesë.

Duhet të jemi të vëmendshëm se individ të këqij ka në çdo shoqëri dhe në çdo shtet, dhe as Kosova nuk ka qenë imune ndaj këtij fenomeni. Ne nuk duhet t’i mbyllim sytë dhe të themi se nuk ka individë të tillë në Kosovë, por në të njëjtën kohë nuk mund të jemi naivë dhe t’i pranojmë këto opinione të shfaqura, të cilat janë të ekzagjeruara. E dimë se janë ekzagjeruar.

Kosova, sikurse edhe të gjitha vendet tjera të Bashkimit Evropian ballafaqohet me këto sfida, por vendosmëria e institucioneve të Kosovës, si dhe orientimi masiv i qytetarëve drejt integrimeve euro-atlantike, është mesazhi më i mirë për gjithçka.

Po sa janë shqetësuese këto opinione ndërkombëtare, pavarësisht gjendjes reale, përkatësisht nëse këtë pasqyrë e ka shkaktuar një pakicë në Kosovë, dhe a duhet të ndërmerret diçka për përmirësimin e këtij imazhi?

Hashim Thaçi: Ne duhet të jemi të kujdesshëm edhe në qoftë se vetëm një opinion paraqitet si i tillë dhe ta marrim seriozisht. Por, Kosova nuk është fole e ekstremizmit. Nuk është fole e grupeve të tilla. E theksoj, Kosova ka treguar shembullin më të mirë në rajon, kur disa vende as nuk kanë menduar fare për këto rreziqe. Në Kosovë ka një tolerancë të mirëkuptueshme dhe shumë afirmuese, qoftë politike, qytetare apo fetare.

Mendoj që edhe konferenca e fundit “Interfaith Kosova” e mbajtur këtu në Prishtinë, e ku morën pjesë rreth 300 personalitete të ndryshme të botës, ka dëshmuar se Kosova po zhvillon dialogun politik, po e zhvillon dialogun ndëretnik, po e zhvillon dialogun ndërfetar. Ishte një sinjal i fuqishëm që Kosova i dërgoi botës.

Ne duhet të inkuadrohemi të gjithë si shoqëri, si institucione, si media, njerëzit me ndikim në opinionin publik, shoqëria civile që me të vërtetë këta elementë të jenë sa më të izoluar dhe të njëjtën kohë t’i afirmojmë vlerat tona euro-atlantike.

Ndihem tepër mirë si president i vendit që i shërbej një populli, i cili është me orientim mbi 90 për qind pro-integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian, dhe janë qytetarët më pro-amerikan në botë.

Së fundit, keni marrë pjesë edhe në dy konferenca, samite rajonale. Sa ndihmon edhe bashkëpunimi rajonal në luftimin e dukurive negative dhe kultivimin e vlerave evropiane?
Hashim Thaçi: Qytetarët e Kosovës janë evropianët më të rinj. Rajoni i jep shumë Evropës. Rajoni ynë, Ballkani, ka shumë më tepër vlera, sesa që paraqet Brukseli. Ka vlera të diversitetit politik, kulturor, etnik, fetar. Vlera këto të pamohueshme dhe që do ta fuqizojnë Bashkimin Evropian. Vlerat reale qytetare, kulturore, historike janë në rajonin tonë dhe Brukseli tash nuk duhet të mbetet peng i procedurave dhe të ndodhë vonesë e madhe për rajonin tonë.

Në diskutimet me të gjithë presidentët e rajonit, si në Sarajevë ashtu edhe në Sofje, gjatë këtyre ditëve të fundit, vërejmë një orientim të përgjithshëm të gjitha shteteve për integrim sa më të shpejtë në Bashkim Evropian dhe mendoj se vetëm qasja e një integrimi të përbashkët në të njëjtën kohë është qasja më e drejtë e mundshme.

Gjithashtu, edhe zotimin tonë për t’u integruar sa më shpejt në NATO, sepse Ballkani mund të jetë stabil, i qetë dhe në paqe vetëm me një siguri globale euro-atlantike.

Është në vullnetin e Serbisë nëse dëshiron apo jo që të jetë pjesë e NATO-s, por unë dua të shpresoj që me kalimin e kohës, edhe Serbia përveç përcaktimit për integrim evropian, do të marrë guximin për të vepruar drejt integrimit edhe në NATO.

Dihet që Kosova dhe Serbia zhvillojnë një dialog të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Cili do të jetë tani roli i juaj në këtë dialog, marrë parasysh që tani mbani një post tjetër, ndërkaq si kryeministër, ishit i pari që u ul në këto bisedime me Serbinë?

Hashim Thaçi: Unë kam filluar këtë proces. Kam zhvilluar negociatat e vazhdueshme me autoritetet, lidershipin e Serbisë. Bashkërisht kemi arritur dhe nënshkruar pas shumë bisedash e negociatash marrëveshjen e prillit të vitit 2013.

Ajo marrëveshje krijoi një situatë më pozitive për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Për të pasuar më pastaj me marrëveshjet e tjera të cilat quan drejt një raporti konstruktiv dhe korrekt të komunikimeve. Por, mbetet shumë për t’u bërë në procesin e zbatimit të gjithë atyre marrëveshjeve.

Nga pozicioni që sot, aktualisht e kam, mendoj që gjërat duhet të lëvizin më shpejt, më mirë, në mënyrë më efektive e më dinamike. Mendoj që ka ardhur koha që në këto rrethana të zhvillimeve globale dhe të një perspektive të gjerë rajonale e euro-atlantike të kuptohet nga lidershipi i Kosovës dhe i Serbisë, por edhe të merret nisma nga Bashkimi Evropian me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, për një hap tjetër, një kapitulli tjetër të raporteve Kosovë – Serbi, të një marrëveshje më afirmuese, më të gjerë në kuptimin e kornizës politike. Kjo marrëveshje do të çonte përfundimisht drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve, një fqinjësie më të mirë dhe një pajtimi mes shteteve e kombeve tona, që do të përcaktonte qartë edhe bashkëpunimin më efektiv mes institucioneve të dy shteteve.

Kjo do të nënkuptonte punën e përbashkët kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafikimit, fundamentalizmit, radikalizmit, kundër terrorizmit dhe një punë e përbashkët qoftë në infrastrukturë rajonale apo të telekomunikimeve.

Por, ajo që mendoj se është e rëndësishme për njerëzit, jo vetëm në rrafshin politik por edhe në atë humanitar -ne duhet të ulemi e ta diskutojmë dhe përmbyllim procesin e të zhvendosurve dhe mundësinë e kthimit të tyre në pronat dhe shtëpitë e tyre, duke marrë përgjegjësitë që na takojnë si institucione të Republikës së Kosovës.

Të njëjtën kohë të diskutohet dhe përmbyllet njëherë e përgjithmonë çështja e fatit të personave të pagjetur, sepse kjo është një plagë që dhemb kudo në shoqërinë e Kosovës, por edhe në Serbi.

Andaj, të dy palët t’i marrin përgjegjësitë që u takojnë, ngase vetëm me zbardhjen e fatit të zhvendosurve mund të shkohet në hapin tjetër, atë të pajtimit mes kombeve tona.

Rrjedhimisht, jeni i gatshëm që të jepni kontributin tuaj që gjërat të shtyhen përpara?

Hashim Thaçi: Unë e kam një bashkëpunim të shkëlqyer me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli e po ashtu edhe me kryeministrin Isa Mustafa. Do të diskutojmë për angazhimet tona të mëtutjeshme.

Mendoj se është me rëndësi që të kemi një veprim unik, një përfshirje sa më të gjerë, sa më konsensuale në proceset e ardhshme dhe në kuadër të kësaj, edhe presidenca do të luaj rolin e vet aktiv dhe kushtetues e ligjor.

Nëse mund të kalojmë në një çështje tjetër. Kuvendi i Kosovës nuk e ka përmbushur një obligim ndërkombëtar që ka të bëj me demarkacionin me Malin e Zi si kusht i Brukselit për liberalizimin e vizave. Sa jeni i gatshëm, si president i vendit, t’i ofroni dhe shtyni përpara partitë politike që ta përmbushin edhe këtë kriter të fundit për heqjen e vizave?

Hashim Thaçi: Muajt e fundit për Kosovën kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të suksesshëm. Në veçanti hyrja në fuqi e marrëveshjes së stabilizim – asociimit, pastaj rekomandimi për liberalizimin e vizave, anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Tash mobilizimi ynë për themelimin e Forcave të Armatosura dhe fillimin e procesit të partneritetit për paqe si kusht për anëtarësim në NATO. Mendoj se të gjitha këto standarde dhe këto vlera, të arritura janë rezultat i punës së përbashkët të pozitës dhe opozitës.

E ardhmja evropiane, euroatlantike do të jetë kusht, bazë, vlerë dhe standard i unifikimit dhe kohezionit të spektrit politik kosovar. Prandaj, duke e ndier secili vetën fitues në këtë proces, në veçanti shoqëria kosovare, por edhe i gjithë spektri politik, më bën të besoj plotësisht që me një energji pozitive, vullnet të mirë, gjenerozitet në kuptimin e diskutimit dhe veprimeve politike, do të gjendet gjuhë e përbashkët që me çdo çmim t’i kaloj të gjitha sfidat që qon kah liberalizimi i vizave, pa cenuar integritetin territorial të Republikës së Kosovës, Kushtetutën dhe as ligjet e Kosovës.

Unë do të dërgoj mesazhet më të mira të mundshme si president i të gjithë qytetarëve të vendit dhe spektrit politik në mënyrë që të lëvizet sa më shpejt dhe sa më mirë. Kështu që unë jam optimist.

Nuk e besoj që Kuvendi do ta sfidoj të ardhmen euro-atlantike për çështje të interesave të politikës ditore të askujt. E ardhmja evropiane duhet të dominoj mbi çdo segment apo mbi çdo prioritet ditor politik.

 

thaciiiiiiiiii