Thaçi për Peres: Na përkrahu kur kishim ma së shumti nevojë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka përkujtue laureatin e Nobelit për Paqe Shimon Peres, që ndërroi jetë sot në mëngjes.

Thaçi e konsideron Peresin si mik që përkrahu vendin tonë në ditët ma të vështira.

 

Ky asht telegrami i Hashim Thaçit për vdekjen e Peres:

 

Me pikëllim e mora lajmin për vdekjen e njërit nga protagonistët kryesorë të përpjekjeve për paqe në Lindjen e Afërt dhe në botë, por edhe mikut tim dhe të Kosovës, laureatit të Nobelit për Paqe, z. Shimon Peres.

Për Izraelin, Shimon Peres do të mbetet burrështetasi që gjysmë shekulli e kaloi në shërbim të vendit.

Për botën ai do të mbetet një nga arkitektët kryesorë të Marrëveshjes së Oslos për Paqe dhe lideri që ka forcuar lidhjet e shtetit të tij me vendet e botës demokratike.

Për Kosovën, ai do të mbetet një mik që e ka përkrahur vendin tonë në ditët më të vështira dhe që e ka promovuar të drejtën e popullit tonë për liri dhe barazi. Këtë na e ka thënë kur na ka pritur në Jerusalem, por ia ka thënë hapur edhe tërë botës. Do ta respektojmë dhe do ta vlerësojmë kujtimin për të si një mik i përjetshëm i Kosovës dhe i popullit të saj.