The Guardian: Pse Banka Botnore mbështet ndërtimin e termocentralit në shtetin ma të ri t’Europës?

Banka Botnore pretendon se me ndërtimin e “Kosovës së Re” ka me u modernizue infrastruktura energjetike, por edhe ka me u kurthue e ardhma e vendit të vogël e të varfën me landë djegëse, shkruen The Guardian.

Në ditët e para të Dhetorit të vitit 2015, derisa bisedimet për klimën në Konferencën e Parisit po zgjateshin përtej afatit të caktuem kohor, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ja ktheu shpinën ekipit të negociatorëve amerikanë dhe mori rrugën drejt Kosovës për me shpreh përkrahjen për nji termocentral që do të ndërtohet nga amerikanët me financim të Bankës Botnore.

Teksa po fliste përkrah kryeministrit Isa Mustafa, Kerry u deklaroi gazetarëve n’Aeroportin e Prishtinës se termocentrali “Kosova e Re” ka me ndihmue vendin e vogël e të varfën me “dhanë pjesën e vet të kontributit ndaj kësaj përpjekjeje të shteteve që janë zotue të merren me ndryshimin klimatik”, tue zavendësue termocentralin e vjetër të kohës së luftës së ftohtë që ndot jashtëzakonisht shumë ambientin.

Kerry pastaj u kthye ngutshëm në Paris dhe ndihmoi që t’arrihej marrëveshja që synon me i dhanë fund përdorimit të djegies së fosileve.
Ky asht shkrimi i plotë:

Derisa shumë shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, vazhdojnë të ndërtojnë termocentrale qymyri në territoret e tyre, lëndët djegëse konsiderohen diçka e dalë mode në botën e financave të zhvillimit. Shtetet e Bashkuara dhe Banka Botërore kanë kufizuar financimin për termocentralet e reja në rrethana të jashtëzakonshme – andaj është shumë e çuditshme që termocentrali i Kosovës po konsiderohet si i vetmi që po përkrahet nga Banka Botërore kudo në botë.

Pavarësisht kësaj, Qeveria e Kosovës beson se do të marrë miratimin përfundimtar prej Bankës Botërore kur projekti të hidhet në tavolinën e bordit të saj, me gjasë në fund të këtij viti. Pritet që mbështetje të madhe t’i jepet prej delegacionit amerikan.

«Nuk besoj se ndonjëri prej partnerëve tanë dëshiron ta rrezikojë të ardhmen e vendit tonë», ka deklaruar ministri për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci.

Ka pak argumente se shteti i ri i Kosovës – që ende njihet nga 111 prej 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara – është ngujuar në sistemin e vjetër të energjisë elektrike që 97 për qind të nevoja i përmbush me dy termocentralet e vjetra që janë ndërtuar para 46 e 35 vitesh. Kosova është shteti i pestë në botë me rezervat e linjitit në botë. Qytetarët e Kosovës e quajnë «ari i zi».

Pavarësisht prej sasisë së madhe të qymyrit, Kosova përballet me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Furnizimi i çrregullt u shkakton mbi 300 milionë euro në vit humbje bizneseve, ka bërë të ditur Stavileci.

Miniera e qymyrit në Siboc raportohet se ka rezerva prej më shumë se një miliardë tonelatash linjiti – të formës më të papastër të qymyrit. Duhet të zgjerohen minierat nëse do të ndërtohet termocentrali i ri, duke rrezikuar mirëqenien e mijëra familjeve në fshatrat përreth.

Në zyrën e tij në Prishtinë, ndërpritet rryma derisa Petrit Selimi flet për nevojën për termocentral. Zëvendësministri i Jashtëm rrudh sytë teksa ndizet drita fluroshente sipër kokës.

«Kosova është vend që është bekuar dhe mallkuar prej faktit ka qymyr me bollëk», thekson ai. «Është fjalë e fëlliqtë, është teknologji e fëlliqtë. Por tani për tani jemi të varur prej të gjitha këtyre fëlliqësive. Lloj shumë i vjetër sovjetik teknologjie».
Vitet e luftës dhe represionit e kanë shtrënguar Kosovën dhe partnerët e saj ndërkombëtarë të kenë vetëm një mundësi. Termocentrali i ri do ta ndryjë shtetin e dytë më të ri të botës në një të ardhme të lidhur me linjitin – me formën më të papastër të qymyrit.

Projekti prej më shumë se një miliard eurosh ka të kaluar të tmerrshme tenderuese që ka nisur para njëmbëdhjetë vitesh, me një kompani amerikane që ka konkurruar për të marrë përsipër ndërtimin.

Por vendi nuk gjeneron energjinë elektrike që i duhet. BE-ja dhe Kosova janë pajtuar që termocentrali «Kosova A» me prodhim prej 350 megavatësh të hiqet nga përdorimi më 2017 me qëllim që të reduktohet ndotja e vazhdueshme e ambientit. Por askush në e jashtë qeverisë nuk beson se kjo do të ndodhë duke pasur parasysh mungesën e burimeve energjetike.

Në një raport të vitit 2011 të Bankës Botërore thuhej se kërkesa energjetike në rritje në Kosovë mund të përmbushej me ndërtimin e termocentralit të ri. Vendi është anashkaluar prej tubave të mëdhenj të gazit që do të zgjaten drejt Europës nga Azerbajxhani, Rusia dhe Afrika Veriore.

Profesori Vladislav Mielczarski, një prej vlerësuesve të pavarur të raportit, i ka deklaruar «Guardianit» se megjithëse kanë shënuar ngritje të madhe çmimet e energjisë së erës dhe solare, «shumë pak gjëra kanë ndryshuar» dhe qymyri mbetet opsionin i vetëm real për Kosovën.

Por aktivistët nga Kosidi, aleancë e gjerë e shoqërisë civile në Kosovë, kanë kritikuar raportin pasi dështon të marrë parasysh alternativat e energjisë së ripërtërishme dhe nënvlerëson riparimet që do të mund të bëheshin në sistemin tani të privatizuar dhe jashtëzakonisht joefikas, në të cilin 40 për qind e energjisë elektrike humb ose vidhet.

Hulumtimi prej Universitetit të Kalifornisë ka shtruar rrugën për riparimin e termocentraleve dhe për zgjerimin e sektorit të energjisë së ripërtërishme. Studimi ka treguar se kjo jo vetëm do të ishte më mirë për ambientin, por edhe më pak e kushtueshme.

Këto argumente kanë hasur në vesh të shurdhër të degës së Bankës Botërore në Kosovë, që ka kohë të gjatë që ka qenë kampion i projektit. Në një kabllogram diplomatik amerikan në «Wikileaks» përshkruhet një takim më 2006 ndërmjet menaxherit të Bankës Botërore për Kosovë dhe ministri të atëhershëm të Energjisë, ku bëhet e qartë se Banka Botërore mbështet fort projektin. Pasi të dy shtrëngojnë fort duart, ministri sjell shampanjën.

Prej atëherë, Banka në mënyrë agresive ka ndjekur kursin për të bindur Kosovën të përfundojë termocentralin. Pas zgjedhjeve të vitit 2014, një letër elektronike që ka rrjedhë prej një punëtori të Bankës Botërore shpjegonte nevojën për «edukimin» e administratës së re si të menaxhojë procesin me një ofertues të vetëm në tender pa shkelur ligjin. Thuhej se përfaqësuesit amerikanë brenda vendit ishin të lidhur fort me projektin dhe se shqetësimet politike amerikane për mbështetjen e projektit me qymyr do të amortizoheshin prej faktit se ofertuesi ishte kompania amerikane «ContourGlobal».

Sipas Andrea Capusselas, ekspert i ligjit të konkurrencës së jashtme dhe ish-anëtar i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, entuziazmi amerikan dhe i BB-së për projektin nuk është zullumqar. Në vend të kësaj, ai beson se kjo ndodh pjesërisht për shkak të zbatimit të një marrëveshjeje që kishin arritur para një dekade se kriza energjetike e Kosovës duhet zgjidhur dhe se qymyri është mundësia më e mirë për vendin.

Në qendër të Prishtinës, rinia mbush kafenetë dhe baret në sheshet që bartin emrat e presidentëve amerikanë. Nëpër projektorë shfaqen ndeshjet e Kampionatit europian të Futbollit. Rinia mbështet lojtarët e Uellsit e Islandës, me shpresë se ekipi i tyre i ri, por i talentuar shumë shpejt do të lë mbresa në skenën ndërkombëtare. Mosha mesatare në këtë vend është 29 vjeç – më e re se mesatarja e BE-së për trembëdhjetë vjet. E ardhmja e tyre është e lidhur fort me perëndimin dhe perëndimi po ua sjell atyre qymyrin, me pretendimin se është e keqe e domosdoshme.

Por njerëzit që janë marrë vesh nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe Banka Botërore mund të mendojnë se ua kanë zënë bishtin me derë. Në një raport të BE-së publikuar më 2015, përshkruhej korrupsioni «gjithëpërfshirës». Derisa një rioshe profesioniste në marketing vë theksin te vendet më të mira për ushqim e ndonjë pije, tregon ndërtesën e lartë me xhama të qeverisë. «Dhe aty jetojnë të gjithë kriminelët», thekson ajo.

Termocentrali «Kosova A» rreth pesë kilometra në periferi të Prishtinës – një prej termocentraleve më të vjetra në Europë dhe një prej burimeve kryesore të ndotjes. Ambiciet e Kosovës për t’iu bashkuar BE-së varen prej industrive si kjo që duhet të mbyllen.

Projekti më i madh i vendit më parë ka qenë «autostrada patriotike», që lidh Kosovën me Shqipërinë. Kostoja e autostradës prej 118 kilometrash kërceu prej 400 milionë në 820 milionë euro. Kosovarët kundërshtojnë koston e lartë, derisa më vonë u mor vesh se ambasadori amerikan në Kosovë u punësua në kompaninë që kishte ndihmuar për ta fituar kontratën e majme.

«Megjithëse ka pasur shumë akuza për korrupsion, nuk ka pasur asnjë indikacion nga EULEX-i dhe prokurorët lokalë se kishte ndonjë shkelje në projektin e autostradës», thekson Selimi.

Zyrtarët qeveritarë e mohojnë fuqishëm pretendimin se procesi i tenderimit për «Kosovën e Re» është përcjellë me korrupsion. «Mbase ky ka qenë një prej tenderëve më të monitoruar në historinë e Europës Lindore», shton Selimi, duke iu referuar mbikëqyrjes prej komisionit kosovar, Bankës Botërore, BE-së dhe FMN-së.

Stavileci thekson se diskutimet me «ContourGloba«» kanë qenë «konstruktive» dhe se mbi të gjitha ka dominuar interesi i Kosovës. Ai mendon se kostoja e ndërtimit të projektit është negociuar dhe ulur bindshëm, apo rreth tridhjetë për qind nga pritjet e tyre për projektin që do ta financojë.

Nga ana e saj, «ContourGlobal» thekson se procesi është i hapur dhe se është zbatuar sipas rregullave të BB-së. Ka bërë të ditur se çfarëdo sugjerimi për shkelje, «duhet të merret me dyshim të madh», ka deklaruar një zëdhënës i saj.

Por kërkesat e vazhdueshme qeverisë së Kosovës, «ContourGlobal» dhe Bankës Botërore për publikimin e të dhënave të negociatave ose të memorandumit të mirëkuptimit nënshkruar prej qeverisë dhe kompanisë amerikane janë hedhur poshtë prej palëve nënshkruese. Kjo është absolutisht e papranueshme, ka thënë Capussela, duke shprehur dyshime për procesin prapa dyerve të mbyllura.

«Korrupsioni gjithëpërfshirës, pandëshkueshmëria totale, procesi i tenderimit me rrezik të lartë nënkuptojnë se ka gjasa të mëdha për korrupsion», ka theksuar ai.