Theresa May, nji hap drejt zavendësimit të Cameron’it!

Sekretarja e Mbrendshme në Britaninë e Madhe, Theresa May ka fitue në mënyrë bindëse raundin e parë të garës së mbrendshme për me u ba udhëheqësja e radhës e konservatorëve, rrjedhimisht edhe kryeministre e vendit.

Simbas mediave vendase, May siguroi 165 vota nga 329 të hedhuna prej parlamentarëve të Partisë Konservatore, e ndjekun nga Andrea Leadsom me vetëm 66 vota.

Ndërsa personi që e përmendte shpeshherë Shqipninë gjatë referimeve të tij gjatë fushatës së referendumit, Michael Gove mori 48 vota.

I fundit në radhë mes kandidatëve ishte Liam Fox, me vetëm 16 vota, e rrjedhimisht asht eliminue nga kjo garë. Ndërkohë Stephen Crabb, edhe pse mori 34 vota, vendosi të tërhiqej nga ky konkurim.

Bahet e ditur se në raundet e ardhshme të votimeve do të reduktohet numri i pretendentëve në vetëm dy të tillë.

Më pas ata do të përballen me njani-tjetrin në votimin perfundimtar të 9 Shtatorit, prej nga ku do të mësohet se kush ka me udhëheqë në t’ardhmen konservatorët britanikë, mbas largimit të kryeministrit David Cameron.

Ky i fundit dha dorëheqjen mbas disfatës në referendumin pro qëndrimit apo pro shkëputjes së Mbretnisë së Bashkueme nga Bashkimi Europian.