Trump kërkon falje për ‘gratë e bukura, që e tërheqin si me magnet’

Kandidati republikan për president Donald Trump kërkoi ndjesë të Premten mbas bamjes publike të nji video regjistrue në vitin 2005, ku ai kallxon se qysh u afrohet grave për të kërkue favore seksuale.

Përmes nji deklarate, Trump shprehet: “Kërkoj ndjesë nëse dikush asht ofendue”, tue iu referue nji artikulli të botuem fillimisht në gazetën “Washington Post”, e cila siguroi videon me komentet denigruese të Trumpit rreth grave.

Kur bani komentet Trump ishte tue folë me gazetarin Billy Bush të emisionit televiziv “Access Hollywood”, në nji bisedë private, në prani të vetëm disa pak personave, në nji autobuz që po e çonte Trumpin në emisionin televiziv. Trump ndërkohë kishte mikrofonin në trup, shkruen NBC News.

Në regjistrim ai thotë: “Gratë e bukura më tërheqin menjiherë, si me magnet dhe filloj m’i puth. Nuk më pritet, i puth menjiherë”. Dhe ma tej vazhdon: “Kur je i njohun, ato të lanë me ba ç’të duesh”.

Trump vazhdon me komente të tjera vulgare se si u kërkon favore seksuale grave, tue folë në mënyrë shumë të hapun.

Në deklaratën ku kërkon ndjesë Trump thotë se: “Ato ishin biseda private, që ndodhën shumë vjet ma parë. Bill Clinton më ka thanë gjana shumë ma të shëmtueme në fushën e golfit, që as nuk u afrohen këtyne që kam thanë unë”.