Tue i publikue pamjet e sulmit me molotov ndaj shtëpisë së Kryeministrit, LDK kërkon identifikimin e autorëve

Lidhja Demokratike e Kosovës, tue marrë shkas nga nji njoftim të AAK’s lidhun me sulmin ndaj Presidencës, tue mos paragjykue autorët e tij, thekson keqardhjen e saj se akte të tilla kriminale ka pas në vazhdimësi në muejt e fundit dhe se mbas tyre nuk ka pas distancim të qartë nga të gjitha subjektet.

Vlen të theksohet se gjatë këtyre muajve, është hedhur molotov mbi Policinë e Kosovës në disa protesta, është djegur një pjesë e objektit të Qeverisë së Kosovës, janë djegur makinat e familjarëve të ministrave dhe zëvendësministrave e të shefave të grupeve parlamentare të LDK-së e PDK-së, janë hedhur disa shishe molotovi mbi shtëpinë e kryeministrit Mustafa, janë dëmtuar dhjetëra zyra të LDK-së nëpër Kosovë dhe është djegur zyra e PDK-së në Deçan. Mos të harrojmë se së paku 6 çanta me 39 shishe koktej molotovi, Policia e Kosovës ka deklaruar se i ka gjetur edhe në tendat e ngritura në shesh si dhe më herët në selinë e një partie.

Me qëllim që të ndihmojmë në identifikimin e këtyre personave, po i bashkëngjisim edhe videot e sulmeve me molotovë mbi shtëpinë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, që eventualisht ndokush të ndihmojë organet e rendit duke identifikuar këta persona, të cilët kanë qenë në mesin e protestuesve në demonstratën e thirrur nga opozita, e cila eskaloi në dhunë ekstreme, në natën e 26 shkurtit 2016.

Sa i përket rolit të viktimës, e vërteta e hidhur është se tash e sa muaj, për përfitime krejtësisht politike, në Kosovë po viktimizohen interesat madhore të qytetarëve të Kosovës, po pengohet puna e institucioneve legale e legjitime, po dëmtohet imazhi i vendit, po vështirësohet zhvillimi ekonomik, proceset integruese evropiane, liberalizimi i vizave e plotë procese tjera.

Prandaj, ajo që ne kërkojmë me insistim nga të gjitha subjektet politike është që të distancohen përfundimisht nga këto veprime dhe nga diskursi i legjitimimit të gjuhës anarkiste të molotovëve e të gazrave helmuese në jetën publike e politike, duke u thirrur në kauza totalisht të paqena, e të cilat kanë neveritur qytetarët dhe partnerët tanë strategjik ndërkombëtarë, tash e sa muaj.

Ndërkaq, LDK-ja nuk do të luajë kurrë rolin e prokurorit, policisë apo gjyqtarëve. Por, mbi të gjitha nuk do të pranojë kurrë, për asnjë përfitim politik, të luajë rolin e keqbërësit, duke dëmtuar interesat e qytetarëve dhe të shtetit.

Andaj, përkitazi me aktet e dhunshme të cilat po targetojnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe personalitetet institucionale dhe politike, Lidhja Demokratike e Kosovës sqaron opinionin publik se nuk paragjykon kryerësit individualë të këtyre akteve.

LDK vlerëson që janë institucionet e rendit dhe drejtësisë, ato që do t’i japin përgjigjen e merituar dhe në kohë optimale atyre që ushtrojnë dhunë”, thuhet në njoftim.