Ushtarët gjermanë xhihadistë. Qe sa janë ba!

germanustar

Ministria e Mbrojtjes ka propozu testim ma të kujdesshëm të kandidatëve për shërbimin ushtarak, për shkak të rrezikut se ushtrisë mund t’i bashkohen ekstremistët islamikë për të përfitu nga stërvitjet ushtarake.

Propozimi për të futë kontrolle shtesë do të paraqitet këtë muej, raporton albinfo.ch.
Simbas propozimit, si raportojnë mediat nga Berlini, në t’ardhmen të gjithë anëtarët e rijë të Bundeswehr’it do të kontrollohet para se të hyjnë në shërbimin ushtarak.

Nji raport nga Inteligjenca ushtarake gjermane tregon se 29 ish-ushtarë të Bundeswehr’it kanë shkue në Siri dhe Irak për të qenë në krahë me xhihadistët.

Ushtria gjermane ka krye dheta hetime për ekstremizëm të çdo lloji, në 65 raste hetimi përfshihen ekstremistët islamikë dhe aktualisht përpunohen 65 raste kundër ekstremistëve të dyshuem islamikë.

Komisari parlamentar për forcat e armatosuna të Gjermanisë, Hans – Peter Bartels, thotë se duhet të analizohet seriozisht fakti se trajnimi ushtarak në ushtrinë gjermane asht tërheqës për ekstremistët.

Barteles megjithatë thotë se nuk ka asnji provë se “disa organizata islamike në mënyrë sistematike kërkojnë t’i infiltrojnë njerëzit e tyne në ushtri”.