Veseli: Aftësimi i Trepçës asht burim i zhvillimit të vendit

Nën organizimin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në Prishtinë u mbajt Tryeza e punës “Ecuritë në transformimin e Trepçës”, në të cilën morën pjesë drejtues të tjerë të naltë të institucioneve, Kryeministri Mustafa, ministra, deputetë të Kuvendit, ekspertë të njohur vendorë e ndërkombëtarë.

 

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari Veseli vuri theksin te nevoja e një konsensusi të mbrendshëm lidhun me “Trepçën”, i cili do të mbështetej në disa pika. Fillimisht, theksoi kryetari Veseli, do të duhej të ketë një participim të sektorit privat në Trepçë, pa pjesëmarrje substanciale të të cilit nuk mund të ketë revitalizim të prodhimit, të minerave dhe të metalurgjisë.

veseli2

“Kujdesi ndaj punëtorëve dhe komunitetit përreth kësaj industrie do të duhej të ishte maksimal.  Këta punëtorë kanë sakrifikuar gjithçka nga vetja e tyre, jo vetëm për këtë industri. Për më tepër, ata ishin pararendës në çdo iniciativë për lirinë e vendit. Prandaj, ne duhet të jemi të ndjeshëm ndaj këtij procesi. Ndoshta do të duhet konsideruar edhe mundësinë që një pjesë e aksioneve të Trepcës t’u takojnë atyre”, theksoi kreu i Kuvendit.

 

Veseli shtoi se një kujdes i veçantë i duhet kushtue edhe mjedisit.

Në vazhdim, ai tha se Trepça është ajo e cila është esploatuar në mënyrë të pamëshirshme.

 

“Edhe ashtu kreditori me i madh në Trepçë është Qeveria e Kosovës dhe punëtorët e saj. Të tjerat do të duhet trajtuar me kujdesin më të madh, meqenëse kanë qenë në kohë të errëta dhe me shumë dilema të ndërlidhura me regjimin e Milosheviqit. Prandaj, na duhet një ekip më i mirë i ekspertëve ligjorë për ta mbrojtur kauzën tonë. Kështu që, në këtë strategji ne duhet të mendojmë urgjentisht për këtë punë. Në fakt, ndoshta do të duhej të ngrisim padi për dëmet qi i janë shkaktuar Trepçës dhe mjedisit përrreth”, tha  Veseli.