Veseli: Ata që ngrehin dorë mbi gratë, nuk janë burra të mirë, por të ligë

Grupi i Grave Deputete, në bashkëpunim me gratë aktiviste nga tana komunat e Kosovës nga organizata “Woman for Woman”, në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit në baza gjinore, kanë marrë pjesë në nji seancë të Kuvendit të Kosovës, në të cilën kanë diskutue lidhun me sfidat e grues kosovare, me theks të veçantë në fuqizimin e saj ekonomik si faktor kryesor për rritjen e vetëdijes në shoqninë kosovare.

Në këtë seancë, grave aktiviste ju asht drejtue Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili siguroi se ka me u angazhue që legjislacioni që garanton barazinë gjinore dhe të drejtat e grave, të avancohet edhe ma tutje.

Veseli asht shprehë se fuqizimi i rolit të grave asht jetik për avancimin e Kosovës.

“Krejt ata që mendojnë se munden me i sundue gratë, e kanë gabim. Krejt ata që ngrehin dorë mbi gratë, nuk janë burra të mirë, por janë të ligë”, deklaroi Veseli.

“Përkrahja institucionale për gratë duhet me qenë e domosdoshme. Në Kuvend kemi avancue rolin e grues, ku aktualisht kemi nji të treten e deputeteve gra. Por, kjo duhet me avancue edhe ma shumë, sepse 50 për qind e popullsisë sonë janë gra”, tha Veseli.

Ai, po ashtu, tha se Kuvendi ka me punue shumë që së shpejti me u miratue ligji, i cili garanton të drejtat pronësore të grave.

Ndërsa, kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Blerta Deliu-Kodra, ju tha grave aktiviste se deputetët po punojnë me përkushtim në mënyrë që ligjet që e fuqizojnë gruen kosovare të zbatohen në përpikni.

kodd1

kod