Veseli: E pakuptimtë që BE ndërton mure për Kosovën!

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka shpreh se lufta kundër komunizmit ishte luftë për me shemb muret që ndanin dhe izolonin popujt, prandaj sot, asht e pakuptimtë që vetë Bashkimi Europian me ndërtue mure për qytetarët e nji shteti europian, Republikës së Kosovës.

Veseli tha në konferencën për 60-vjetorin e kryengritjes hungareze kundër komunizmit se pa ranien e komunizmit dhe triumfin e demokracisë në Europë, nuk do të ishte e mundun as liria e vendit tim, Kosovës.

“Njisoj si hungarezët edhe qytetarët e Kosovës kanë pague nji çmim të madh për lirinë dhe pamvarësinë e tyne” thekson Veseli.

 

Qe fjalimi i plotë i tij:

 

Ndihem i nderuar, që sot, kam rastin të flas, në këtë konferencë memoriale, kushtuar njëres prej ngjarjeve më domethënëse në Historinë e Evropës të pas Luftës së Dytë Botërore – Revolucionit Hungarez të vitit 1956.
60 vite më parë, njerëzimi ishte e mbërthyer nga konflikti radikal mes dy sistemeve ideologjike, politike dhe ekonomike.

Në njërën anë, ishte bota e lirë, bota e demokracive liberale, ekonomisë së tregut të lirë, bota e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Në anën tjetër ishte bota komuniste, ku liritë dhe të drejtat e njeriut shkeleshin në mënyrën më brutale të mundshme.

Si shumë popuj të tjerë, përfshirë edhe popullin tonë, populli hungarez, pa vullentin e tij, u përfshi në kampin e diktaturave komuniste.
Një popull, që përgjatë gjithë historisë, i kishte dhënë aq shumë lirisë në Evropë, befas u ndje i mbërthyer nga një tirani e re, tirania komuniste.

Ishin vite të rënda për popujt e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Një perde e hekurt kishte mbuluar jetën e këtyre popujve, do të shprehej kryministri britanik Uinston Çërçill.
Gjendjen e bënte edhe më të rëndë fakti se brutaliteti i regjimeve komuniste maskohej me propagandën e idealeve marksiste. Njerëzit shtypeshin në emër të lirisë dhe barazisë.

Dikush njëherë ka thënë se nuk ka padrejtësi më të madhe se ajo që bëhet në emër të drejtësisë.
Populli hungarez ishte ndër të parët që e kuptoj mashtrimin komunist dhe vendosi të ngrihej, të protestonte, të kundërshtonte, të kërkonte rikthimin e lirisë së tij. Të rinjë, studentë, punëtorë, fermerë, intelektualë, artistë, mposhtën frikën dhe i thanë jo tiranisë së kuqe.

Bota shihte e tronditur se si një popull i vogël nuk donte të dorëzohej para përbindëshit sovjetik.
Me 1 nëntor 1956, mbi 1000 tanke sovjetike sulmuan Hungarinë. Rrugët e Budapestit u lanë me gjakun e qytetarëve hungarezë. Kryengritja u shtyp fizikisht, por zëri i saj për liri pushtoj mendjet dhe zemrat e gjithë njerëzve nga të katër anët e botës.

Mijëra djem e vajza, burra e gra hungareze, sakrifikuan jetën e tyre për të demaskuar mashtrimin komunist. Ata ja arritën qëllimit. Sakrifica e tyre u bë shembull frymëzues për të gjithë rezistencën antikomuniste në Evropë e më gjërë.
Askush nuk e ndjen më mirë peshën e kësaj sakrifice sa gjenerata jonë, që pati fatin të jetë gjenerata e rrënimit përfundimtar të ideologjisë komuniste.
I nderuari ambasador Markusz

Pa rënien e komunizmit dhe triumfin e demokracisë në Evropë, nuk do të ishte e mundur as liria e vendit tim, Kosovës.
Njësoj si hungarezët edhe qytetarët e Kosovës kanë paguar një çmim të madh për lirinë dhe pavarësinë e tyre.

Por, ne sot, ndihemi krenarë se sakrificat tona, i kanë bërë më të qëndrueshme vlerat evropiane, liritë dhe të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sovranitetin e popujve, paqen dhe bashkëpunimin mes shteteve, ekonominë e tregut të lirë.
Shteti i Kosovës ka lindur nga këto vlera, do të vazhdojë të jetojë përmes tyre dhe të punojë në fuqizimin e tyre. Në interes të qytetarëve tanë, paqes dhe stabilitetit rajonal.

Komunikimi i hapur, dialogu, fqinjësia e mirë, janë rruga e vetme që kanë vendet e Ballkanit perëndimor për të ecur përpara në perspektivën evropiane. Pa integrimin e vendeve tona Bashkimi Evropian është projekt i papërfunduar.

Ne ndihemi mirë që në mesin e miqve të shumtë të shtetit tonë është edhe Hungaria.
Gjej rastin të falënderoj Republikën e Hungarisë për mbështetjen e vazhdueshme që jep në procesin e integrimeve euro-atlanike të Republikës së Kosovës.

Këtu dua të theksoj, në mënyrë të veçantë, përkrahjen për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën e Bashkimit Evropian.

I nderuari ambasador Markusz

Në planin bilateral, Kosova angazhohet për thëllim të marrëdhënieve me Hungarinë në të gjitha fushat; parlamentare, qeveritare, këmbime tregtare, investime të dyanshme ekonomike, në kulturë, arsim, e të tjera.

Kam kënaqësinë që të ju njoftoj se, në fillim të nëntorit do të zhvilloj një vizitë zyrtare në Budapest, pikërisht në frymën e këtij bashkëpunimi.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj. Qoftë i paharruar kujtimi i heronjve të Budapestit të vitit 1956.