Veseli kallxon se a ka probleme Kosova me Malin e Zi për vizat, shkaku i Demarkacionit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në këtë intervistë për DW, flet për Demarkacionin me Malin e Zi, bashkësinë e komunave serbe, dialogun me Serbinë, Gjykatën Speciale dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Sa i përket kontaktit me autoritetet malazeze, Veseli thekson se situata zgjedhore dhe mbas zgjedhore në Mal të Zi, jau ka vështirësue pak kontaktet dhe nji qëndrim që kishte me qenë ma preciz nga ana e Malit të Zi dhe rreth këtyne çashtjeve.

Ai thekson se, Kosova ka me përmbushë sovranitetin e vet përmes shejimit të vijës kufitare me Malin e Zi dhe kjo asht çashtje kohë.

Intervista e plotë:

DW: Zoti Veseli, po e nisi këtë intervistë më zhvillimet aktuale, koalicioni qeverisës nuk po mund të arrijë një konsensus të gjerë rreth çështjeve madhore, siç janë demarkacioni dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe. Meqenëse kjo nuk po arrihet mendoni se vendi duhet të shkojë në zgjedhje te parakohshme?

Veseli: Koalicioni është stabil, lista Serpska është e vërtetë që ka një kohë që nuk është duke ardhur në Kuvendin e Kosovës dhe për çështjen për të cilën ju i referoheni demarkacionit duhen dy të tretat e votave, por sidoqoftë në do të vazhdojmë që të përçojmë mesazhin tek qytetaret e Kosovës që duhet më tepër zhvillim, më tepër angazhim për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe tu ikim temave që ka për qëllim politizimin dhe egon e pushtetit për arsye se Kosova në këtë fazë ka më së shumti nevojë për një perspektive ekonomike.

DW: E përmendet listën Serpska, tashmë ky subjekt politik po vazhdon ta bojkotojë parlamentin dhe qeverinë, jeni takuar me ta, mendoni se ata po kërkojnë ndonjë kompromis?

Veseli: Po ne jemi takuar më ta dhe vazhdimisht takohemi, ky subjekt politik ka qenë konstruktiv gjatë punës së tyre, por sido që të jetë vendimi i tyre është marrë nga ata, ne e respektojmë vendimin e tyre, por, zyrtarisht ata nuk po marrin pjesë në punimet e kuvendit të Kosovës.

DW: Cilat janë kushtet që ata po kërkojnë që të kthehen në parlament, shumë zhvillime po varen nga vota e tyre?

Veseli: Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mund të ketë kushtëzime sepse shumica parlamentare vepron me 60 deputet dhe kjo shumicë parlamentare i ka 89 deputet nga 11 janë nga lista Serpska dhe këtu ka një koncesus të plotë për vendimet që duhet të merren me një shumicë të thjeshtë. Sidoqoftë, unë mendojë se do të ketë reflektim nga lista “Serpska”, dhe ata do të vijnë në punimet e Kuvendit, por kushtëzime në Republikën e Kosovës nuk mund të bëjë askush.

DW: Po çfarë po bëhet me çështjen e demarkacionit, ky tashmë është vënë kusht nga Komisioni Evropian që duhet ratifikuar për çështjen e liberalizimit të vizave. Ju ditë më parë u deklaruat se do të kërkoni nga Mali i Zi që t’i shkruaj letër Komisionit Evropian dhe ta theksojë që Mali i Zi dhe Kosova nuk ka probleme me shënimin e vijës kufitare. Por, a mendoni se mjafton një gatishmëri e Malit të Zi, që të bindet Komisioni Evropian?

Veseli: Është e rëndësishme që me Malin e Zi ne kemi raporte fqinjësore jashtëzakonisht të mira, kemi edhe kontakte politike si lidership dhe të gjitha mesazhet që i marrim nga koleget e Malit të Zi, janë mesazhe shumë pozitive. Çështja e demarkacionit, nuk mundet dhe nuk duhet të jetë mollë sherri ndërmjet dy vendeve, përkundrazi ne do ta tejkalojmë këtë sfidë ne do të bëjmë shënimin e kufirit, për arsye se është në interesin e qytetarëve dhe është në interes të sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe veçanërisht kur kemi të bëjmë me një kushte që i është vënë Kosovës nga Komisioni Evropian që Kosova ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi, besojmë se është paksa i tepruar se ne kemi raporte të mira me Malin e Zi, dhe lidershipi i këtij shteti e ka një qëndrim të vetin, nuk flas në emër të tyre por ata nuk kanë dëshirë që Kosova të ndëshkohet për një çështje që Kosova ka raporte të mira me ta. Kjo është e tëra.

DW: Keni biseduar ju personalisht me lidershipin e Malit të Zi, sesi të zgjidhet ky problem dhe të dy vendet të ecin përpara, sepse, edhe Mali i Zi se shpejti pritet të jetë pjesë e NATO-s.

Veseli: Situata zgjedhore dhe pas zgjedhore në Mal të Zi, neve udhëheqësve të institucioneve të Kosovës na i ka vështirësuar pak kontaktet dhe një qëndrim që do të ishte me preciz nga ana e Malit të Zi dhe rreth këtyre çështjeve, por me lejoni të theksojë Kosova do të përmbushë sovranitetin e vet përmes shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi dhe kjo është çështje kohë. Nuk kemi probleme me të cilat na ndajnë me Malin e Zi pavarësisht që ende për çështjen e demarkacionit veçanërisht opozita jonë ka një qëndrim që është kontestues ndaj kësaj çfarë kemi nënshkruar dhe unë besojë që me konsolidimin e qeverisë në Mal të Zi, do të kemi qartësim edhe më të madh të kësaj situate, por mos të ketë dyshim dikush që Kosova nuk do ta përfundojë këtë çështje. Kjo është çështje e cila do të përfundojë, Mali i Zi është partner i yni, Mali i Zi i ka orientimet euroatlantike dhe ne jemi në të njëjtën anije të përbashkët politike dhe strategjike.

DW: Të kthehemi te dialogu me Serbinë, dy ditë më parë u arrit marrëveshja për kodin telefonik, pas gjashtë vjet bisedime, ka edhe një serë marrëveshjesh tjera që janë arritur, por disa nga to nuk po gjejnë zbatim. Mendoni se ky format i dialogut me Serbinë të vazhdojë kështu, apo duhet ndërruar format në mënyrë që dialogu të jetë më i efektshëm.

Veseli: Në princip dialogu ndërmjet fqinjëve duhet të vazhdojë aq më tepër me një shtet që ka pretendime të padrejta ndaj Republikës tonë edhe pse me ndërmjetësimin e BE-së. Ne do të vazhdojmë këtë dialog teknik sepse janë çështje të cilat kanë të bëjnë me interesin qytetar dhe strategjik të Kosovës, ne duhet ta pranojmë edhe një fakt, ka rezistencë e cila shihet qartë veçanërisht nga ana e Serbisë ne implementimin e disa marrëveshjeve që janë të rëndësishme. Është e mirë nënshkrimi i marrëveshjes për kodin telefonik, është pozitive dhe duhet të mbahet çështja e lëvizjes së lirë që në fakt është në një turp që akoma mbahen barrikada të ndryshme në shekullin e 21 në kufij për lëvizjen e lirë të qytetarëve, në një Evropë e cila synon bashkimin. Por ajo çfarë do të ishte edhe më e rëndësishme, të intensifikohet dialogu dhe në të njëjtën kohë dialogu ti shërbente interesave tona të përbashkëta si dy vende të pavarura dhe sovrane dhe mos të ishte vetëm një lloj karrote për përfitimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Këtu besojë ne jemi shumë të qartë, ne jemi shtet i pavarur dhe sovran do të mbrojmë të gjitha politikat tona përgjegjëse për interesin e qytetarëve tanë por në të njëjtën kohë do të vazhdojmë dialogun.

DW: Kur e thatë interesin reciprok, në opinionin kosovar është krijuar përshtypja që nga ky dialog po përfiton vetëm Kosova. Si e shihni ju marrëveshjen e fundit për kodin telefonik. E shihni si kthim të Serbisë në Kosovë, apo realizim të interesave të Kosovës?

Veseli: Këtë e shoh si një hap drejt forcimit të shtetësisë së Kosovës. Ta keni parasysh mjafton edhe për një fëmijë ta dijë se kur ta sjell prefiksin 383 kjo është një gjë shumë e mirë dhe është diçka të cilën nuk e ka Serbia. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran, nuk ka kthim prapa për këtë duhet të ecim bashkërisht. Ajo që është kryesore është të ecim në fushën e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve. Edhe njëherë dua ta ritheksojë, çështja e sovranitetit tonë është një çështje që e ka legjitimitetin dhe buron nga rrënjët e dëshirës, vullnetit dhe qëllimit të popullit.

DW: Zoti Veseli, ndihen institucionet e Kosovës në presion nga bashkësia ndërkombëtare që ta themelojnë asociacionin e komunave me shumicë serbe, kjo kërkesë u përsërit edhe nga komisionari i BE-së për zgjerim Johanes Hahn, i cili ishte për vizitë në Kosovë.

Veseli: Aspak. Ky është një obligim ndërkombëtar i Kosovës i cili rrjedh nga vet shtetësia e Kosovës dhe ne do ta kryejmë asociacionin e komunave, por ajo që është kryesore, kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës të jenë të sigurt qytetarët tanë që nuk do të cenohet në asnjë mënyrë. Ne vetëm do ta forcojmë sovranitetin tonë. Serbët integrimi i tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, respektimi i stemës, respektimi i flamurit, respektimi i ligjeve të Kosovës në komunat serbe është në interes të vet shtetit të Kosovës.

DW: Do të thotë ju nuk keni frikë nga ndarja në vija etnike nga asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Veseli: As nuk do ta lejojmë të ndodhë dhe as nuk do të ndodhë. Ne jemi duke punuar drejt integrimit të vendit tonë, keni parasysh situatën pas vitit 1999, ne kemi një lëvizje më të lirshme në pjesën veriore të Kosovës, kemi një situatë më të mirë komunikimi ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në të gjitha hapësirat e Republikës së Kosovës. Nuk kemi probleme ndërmjet vete, duhet të ecim përpara, muret nuk krijojnë integrim, muret krijojnë ndasi dhe konflikte. Ne do ti integrojmë qytetarët tanë dhe ta keni parasysh çdo komunikim ka të bëjë me qytetarët tanë, ndrysa, sa i përket çështjes me republikën e Serbisë, ne i kemi ndarë gjërat më 12 qershor 1999.

DW: Zoti Veseli, një çështje për të cilën dua të flas është Gjykata Speciale. Ditë më parë ishte në Kosovë kryeprokurori i kësaj gjykate i cili heton pjesëtarë të UÇK-së për krime të supozuara lufte. Në të njëjtën kohë në Kosovë, po zhvillohen procese gjyqësore të udhëhequra nga gjyqtar të EULEX-it, po ashtu për krime lufte, ku disa bashkëluftëtar tuaj po gjykohen dhe dënohen. Disa herë është thënë që UÇK-ja është target, apo institucionet e Kosovës nuk e kanë kryer punën si duhet për të hetuar pretendimet për krime lufte. Ju si thoni?

Veseli: Gjykata Speciale është një çështje e cila ka ndodhë, është një padrejtësi i domosdoshme tani që do të ndodhë, por keni parasysh që ne me vullnetin tonë e jemi futur në këtë proces për arsye që gatishmëria jonë është më e madhe për të paguar cdo çmim për shtetin tonë dhe Republikën e Kosovës dhe do të heqim çdo dilemë e cila është bërë mbi themelet e kësaj shtetësie e cila ka të bëjë me procesin e çlirimit dhe pavarësimit të Republikës së Kosovës. Natyrisht ne kemi kryer obligimet tona si institucione të Republikës së Kosovës, kemi pasur shumë argumente për të thënë dhe për të folur dhe do të flasim në mosndëshkimin e kriminelëve dhe atyre që kanë kryes masakra në Kosovë ku me mijëra njerëz kanë lënë të vrarë nga pushteti i Serbisë në Kosovë. Sidoqoftë, për Kosovën dhe për ne është shumë e rëndësishme liria jonë dhe shteti jonë. Ky është një çmim që gjeneratat kanë paguar në vazhdimësi, natyrisht se do të ecim përpara dhe jam shumë i sigurt se jo vetëm se mund të denigrohet, por nuk do të ketë dënim e as cenim të UÇK-së si luftë e pastër çlirimtare dhe ashtu sikurse në dy proceset e kaluara në Hagë, ballafaqimi i bashkëluftëtarëve tanë, do të kemi një drejtësi e cila do të jetë e pavarur dhe e cila do të dëshmojë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër