Veseli: Ky asht mesazhi që ma dha Joe Biden!

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka vlerësue historike vizitën e zavendëspresidentit Amerikan Joe Biden në Kosovë, ndërsa u zotue se mesazhet e qarta dhe miqësore nga Shtetet e Bashkueme, shteti i Kosovës ka me i marrë dhe zbatue në plotni mbasi janë në të mirë të vendit.

Ai tha se, numri dy i SHBA’ve i ka konfirmue mbështetjen e fuqishme për Kosovën në tana proceset.

“Mesazhi ishte i qartë: Shtetet e Bashkueme të Amerikës kanë me qenë gjithmonë me ju. Ky ishte mesazhi që ma dha zavendëspresidenti Biden kur e përshëndeta në shkallët e avionit. Ai më siguroi se mbështetja e SHBA’ve ka me qenë e fuqishme”, tha Veseli në nji intervistë në Klan Kosova.

Ai tha se, tash të gjithë deputetët duhet me u ba bashkë dhe me miratue Demarkacionin dhe t’i hapin rrugë perspektivës. Veseli u shpreh i bindun se Demarkacioni ka me u miratue më 1 Shtator.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet sa ma urgjentisht me votue në mënyrë unanime Demarkacionin, sepse asht në të mirë të vendit. Deputetët duhet me ditë qartë se miratimi i Demarkacionit i hapë rrugë perspektivës së shtetit, ndërsa alternativa tjetër e qon Kosovën në rrugë të paditun. Prandaj, të gjithë deputetët duhet të reflektojnë, sepse mesazhet janë të qarta, Kosova ka mbështetjen e fuqishme nga Shtetet e Bashkuaeme, nga presidenti Obama, zavendëspresidenti Biden dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë. Tash të gjithë na duhet të marrim përgjegjësitë që na takojnë dhe ta miratojmë Demarkacionin”, tha Veseli.