Veseli në rivarrimin e familjarëve të Azem Bejtës: Shpejt duhet me u sjellë edhe eshtnat e Shote Galicës

“Azem Bejta dhe Hasan Prishtina hapën shtigjet, nëpër të cilat ecën tana gjeneratat e rezistencës së mavonshme”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tue mbajtë fjalë rasti në këtë ceremoni.

Veseli, i cili mori pjesë, sot, në ceremoninë e rivarrimit të familjarëve të Azem Bejtës, manifestim i organizuem nën përkujdesjen e tij, në fshatin e lindjes së heroit kombëtar, Azem Bejta, në Galicë të Vushtrrisë, foli për rrethanat historike të asaj kohe, të randa dhe me shumë sakrifica.

“Po bahen gati 100 vite kur na ende po i bashkojmë plagët tona. Serbia i vrau ata, por jo edhe idealin e tyne, i cili u bart në breza deri në arritjen e lirisë”, tha kryeparlamentari Veseli.

Veseli vuni në pah se Azem Bejta dhe Hasan Prishtina hapën shtigjet, nëpër të cilat ecën tana gjeneratat e rezistencës së mavonshme: Shaban Polluzha dhe luftarët e tij, Adem Demaçi dhe lëvizja ilegale, Lëvizjet studentore, aktivistët e rezistencës paqësore dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Kryeparlamentari Veseli bani apel publik që së shpejti duhet me u ba e mundun që pranë varrit të Azem Bejtës të sillen edhe eshtnat e Shotë Galicës, që aktualisht ndodhen në Fushë Krujë të Shqipnisë.