Veseli: Nuk ju besoj hartave jugosllave, por SHBA’ve. Demarkacioni ka me kalue!

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli asht i bindun se shejimi i kufinit mes Kosovës dhe Malit të Zi ka shkue mbi bazë të fakteve juridike dhe simbas tij, Komisioni Shtetnor e ka krye mirë punën.

Ai tha se, opozita po manipulon me ndjenja historike të qytetarëve, tue folë për padrejtësitë historike.

“Na i kemi ngue tana argumentet dhe i kemi pa faktet, të cilat dëshmojnë qartë se kufini asht shejue mbi bazën juridike të shpalljes së pamvarësisë, marrëveshjes së NATO’s dhe verifikimit që mandej i asht ba edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nga ekspertët europianë. Ky asht territori i Republikës së Kosovës. Nuk kemi humbë asnji milimetër”, tha Veseli gjatë intervistës në RTK.

Veseli përmendi argumentet e disa ekspertëve opozitarë në debatin e 3 Gushtit, por siç tha ai, nuk asht i primë me ju besue hartave jugosllave dhe mendësisë jugosllave, por i beson Shteteve të Bashkueme, miqve europianë dhe ekspertëve të Komisionit Shtetnor.

“Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi ka me kalue. Duhet me ditë veç nji fakt se, Kosova fiton shumë me këtë Demarkacion kur ta miratojë. Ndërsa, nëse nuk ka me u ba, e ardhmja asht e panjohun. Na duhet me ba vendimmarrje historike me 1 Shtator dhe me i hapë perspektivë vendit për reforma dhe zhvillim ekonomik, për ta ndryshue cilësinë e jetës”, tha Veseli.