Veseli takohet me Hahn: Qytetarët e Kosovës po mbahen padrejtësisht t’izoluem

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim komisionerin Europian për Politika të Fqijësisë dhe Negociata të Zgjanimit, Johannes Hahn, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, procesin e integrimit europian dhe hapat që duhet ndërmarrë në këtë proces.

Veseli potencoi angazhimet dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e obligimeve që ato kanë para vetes, si në proceset integruese, ashtu edhe në zhvillimin e mbrendshëm, të identifikueme edhe në Raportin e Progresit.

“Kosova po punon maksimalisht, së bashku me partnerët e saj, në avancimin e reformave europiane, forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupcionit e krimit të organizuem”, tha Veseli, thuhet në komunikatën e Kuvendit.

Tue e konsiderue të padrejtë izolimin, i cili vazhdon me ju ba qytetarëve të Kosovës, kryeparlamentari Veseli e cilësoi të ngutshme nevojën e heqjes së vizave nga ana e Bashkimit Europian.

Komisioneri Europian, Johannes Hahn, e falënderoi kryeparlamentarin Veseli për mikpritjen dhe tha se vizita e tij në Kosovë dëshmon vendosmëninë për përkrahje që ka Bashkimi Europian për Kosovën.