“Vetëvendosje ka me pengue votimin e Demarkacionit”

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmërue se ka me pengue votimin për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, që pritet të bahet më 1 Shtator në Kuvendin e Kosovës. Shpend Ahmeti nga VV’ja, ka thanë se kjo ka me u ba me metoda paqësore.

Seanca për votimin e ratifikimit të Demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në Kuvendin e Kosovës, e paralajmërueme të mbahet më 1 Shtator, doket se nuk ka me u zhvillue normalisht. Kjo, sepse Vetëvendosje ka paralajmërue pengimin e votimit, simbas tyrne, me metoda paqësore. Nji nga këto metoda mundet me qenë edhe gazi lotsjellës.

“Mund të garantoj vetëm nji gja. Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë me votue Demarkacionin. Nuk mund të garantoj për asnji subjekt tjetër, madje jam goxha i sigurt se disa prej deputetëve të koalicionit qeverisës, të cilët po thonë se nuk kanë me votue, kishin me votue nëse e kanë mundësinë. Deputetët e Vetëvendosjes kanë me pengue votimin e Demarkacionit me metoda paqësore, ndërsa qytetarët kanë me qenë në protestë në mbështetje të deputetëve dhe për me i kallxue këtij koalicioni se ky Demarkacion nuk ban me kalue”, ka deklarue Shpend Ahmeti, në nji intervistë për gazetën Epoka e Re.